Po shikoj në Tv Klan dokumentarin për Saimir Pirgun. Diku në një moment të dokumentarit një nga mësuesit e tij thotë që “Publiku vienez e do Saimirin edhe për faktin që ai është një person shumë i dashur”.
Është shumë e vërtetë. Unë e kam njohur Saimirin si koleg pune në vitin 1999, atëherë kur ai ishte një personazh i zakonshëm në rrugët e një qyteti si Tirana që nuk të ofronte ndonjë gjë të madhe për pritshmëritë e një të riu. Ishte aq i dhënë pas muzikes sa këndonte edhe në oren 03.00 të mëngjesit. Bashkë me të si duo-sorrë shoqëruese ia merrja edhe unë ca më shumë, kuptohet për shaka.
Saimiri kishte një ngjizje të çuditshme te të huajt që vinin në sportel. Aq sa ata habiteshin me informacionin që kishte për muzikën. Ishte një njeri i papërtueshëm që pasdite shkonte te Teatri i Operas (në atë kohë mbaj mend që i binte një vegle muzikore) dhe natën punonte deri herët në mëngjes. I vetmi që kishte besim te talenti i tij ishte veç ai. Ishte e vështirë për ne të tjerët të besonim se po ndanim orë të tëra pune me një talent, i cili pak vite më pas do ngjiste skenat më të mëdha të Operas botërore.
Hera e fundit, kur u takuam ishte te dikur stacioni i urbanit të “Ushtari i Panjohur”, aty ku sot qëndron busti i Sulejman Pashë Mulletit. Ishte një ditë gri me shumë shi. Unë isha i ngarkuar me një biçikletë me dy arka me libra klasikë që po mundohesha t’i çoja sa më shpejt në shtëpi për t’u gjetur një strehe nga rrënimi, ku ishin degdisur. E pashë Saimirin së largu dhe i ndalova te këmbët. Aty mësova që kishte fituar një bursë në Bolzano. M’u bë shumë qejfi, sepse e meritonte dhe ishte lodhur shumë për të gjetur veten. U ndamë me urime për njëri-tjetrin dhe kështu e humba në atë stacion urbani për ta dëgjuar emrin e tij disa vite më pas si nxënës i shkëlqyer i Pavarotit.
Mendoj se puna shpërblen talentin dhe Saimiri është shembulli, ku dëshira gjen rrugën dhe vullneti i jep jetë talentit. Bravo Saimir Pirgu!