Nga Ergys Mertiri
Kam përshtypjen se nuk e keni kuptuar mirë se çfarë përbindëshi është Edi Rama.
Pasi e shpërqendroi objektin e protestës nga qeveria tek e gjithë klasa politike apo tek e gjithë historia 28-vjeçare e tranzicionit, nëpërmjet instrumenteve të veta brenda protestës që përjashtonin njerëz në emër të depolitizimit te saj, pasi e shiti veten sikur protestuesit janë me të dhe se inatin e kishin me opoziten e jo me qeverinë, tani do kalojë në një fazë tjetër, duke filluar një fushatë agresive për ta shpërndarë fajin tek të tjerët dhe për të marrë pozat e shpëtimtarit të protestës. Tani është momenti që të hyjë në luftë me dekanë, pedagogë dhe punonjës ministrie, duke i goditur ata pa mëshirë, për t’i dhënë vetes petkat e shpëtimtarit të universitetit. Nga objekti i pakënaqësisë, ai mund të shndërrohet kështu në hero, në liderin e protestës së nisur kundër tij!
Kjo në fakt është mënyra sesi mund të shpëtosh nga përgjegjësia. Hap luftë me njerëzit e tu, për të dalë sikur faji është i tyre. Luftëtaret fitojnë simpatinë e të gjithëve dhe kështu mbetesh star.
Në fakt, fajin e kanë trashur bashkë dhe përgjegjësinë duhet ta ndajnë bashkë. Ai luan me ndjenjën e indinjatës që njerëzit kanë ndaj plehrave të vegjël burokratë, dekanucë të vegjël që vegjetojnë zyrave me intriga katundi, sekretarë kompleksivë që ushtrojnë bullizëm ndaj atyre që i kanë nën pushtet, pedagogë arrogantë që marrin para e që nuk imponohen dot me dije, por me kërcënimin e notës… etj.
Rama do të sajojë një betejë mediatike me të gjithë këta, duke përdorur ndjenjën më të drejtpërdrejtë të turmave: urrejtjen. Duke kënaqur urrejtjen e tyre ai do fitojë simpatinë e tyre dhe do t’ia dalë t’ia hedhë lumit. Ndërkohë universiteti do vazhdojë siç ka qenë, me ndryshimin e vetëm se do shtohen rilindasit nëpër zyra, ndërsa autonomia të jetë zhdukur.
Këtë mund ta bëjë vetëm mrekullia e medias, e vetmja gjë ku qeveria shkëlqen. Por kjo nuk do ishte bërë kurrë e mundur, pa një mori kopukësh, të aktivizuar masivisht këto ditë në rrjete sociale duke u maskuar si protestues të “pavarur”. Ata janë ushtria më e mirë e trukeve mediatike të Ramës, ata janë barrierat e domosdoshme për ti bërë pritë ujërave të shpërthyera të turmave, në mënyrë që të orientohen për në mullirin e qeverisë.
Gjithcka varet nga sa të zgjuar do tregohen studentët. Nëse do ta hanë karremin apo jo, kjo do të shihet në vijim.