Nga Mehmet Kraja*
Para disa ditësh në Pejë ndodhi diçka që nuk kisha dashur të isha bashkëkohës i saj; një gënjeshtër monumentale, e pashembullt dhe e papërsëritshme, e tillë që me hijen e saj të shëmtuar nxin dhe errëson çdo akt të virtytshëm dhe çdo sakrificë sublime për shtetin dhe idealet kombëtare.
Që gënjeshtra patriotike panshqiptare të merrte atribute historike, për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, u zgjodh vendi, ku 119 vjet më parë u mbajt Lidhja e Pejës dhe prag-festa e 28 Nëntorit, duke ua lënduar shqiptarëve sentimentin me këtë cirk të shëmtuar, duke ua tallur historinë dhe duke hedhur mbi vlerat e trashëgimisë sonë groteskun morbid të politikës arriviste.
Ikonografia e mbledhjes, siç u pa, e mbingarkuar me simbole kombëtare, me pompë dhe akte solemne, përveç se duhej të dëshmonte atë që nuk kishte nevojë të dëshmohej, më shumë duhej të fshihte diçka të madhe, diçka tronditëse për ata që duan të shohin përtej perdes së kuqe dhe hijeve të errëta mbi të; duhej t’u dërgohej një mesazh shqiptarëve, veçmas atyre të Kosovës, që ende besojnë në “dizajne” të këtilla krejtësisht të rreme, se punët e kombit shkojnë mbroth dhe se për këtë kujdesen dy qeveritë, me angazhimet e tyre thellësisht kombëtare.
Nuk do mend, mjeshtri i ikonografisë dhe propagandës ishte Edi Rama, një dizajnator me biografi të manipuluar artistike, i cili në shtetin e vet ka dhënë prova bindëse se propagandën e bën më mirë se çdo punë tjetër.
Gjithkush e di se mbledhjet e këtilla të përbashkëta të dy qeverive që pesë vjet e këndej as kanë sjellë rezultat dhe as kanë për të prodhuar ndonjë efekt real kombëtar. Atyre nuk u besojnë as vetë pjesëmarrësit, por nuk del njeri që t’i ndalë, sepse të gjithë duan të përfitojnë prej tyre, ndonëse po të gjithë e dinë se ky marketing i çmendur i Edi Ramës është vetë keqqeverisja e manipuluar.
Në këtë grackë, në grackën e Edi Ramës si mjeshtër i propagandës tashmë ka rënë edhe Qeveria e Kosovës, jo pse kjo qeveri është gjë më e mirë se ajo e Shqipërisë, por thjesht sepse promovimet publike nuk janë specialitet i saj (është më e ngathët, pa elokuencë dhe pa sensin e komunikimit publik), teksa dëshirës për t’u përfshirë në këtë formë të promovimit të gënjeshtërt nuk i reziston dot.
Që Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një kala gënjeshtrash, këtë kanë filluar ta pohojnë zëshëm edhe ata që deri dje e kanë mbështetur dhe i kanë kryer shërbime nga më të ndryshmet. Në të vërtetë, kjo do të duhej të ishte çështje “e brendshme” e elektoratit të Shqipërisë, i cili, duke ia mbushur kutitë me dy të tretat e votave, duhej ta kishte në vëmendje se është duke prodhuar një monstër politike, që në një ditë jo të largët do të hajë edhe fëmijët e vet. Por tani ndodhi që ambiciet e kësaj monstre janë më të mëdha se vetë Shqipëria: i trimëruar nga vota gati plebishitare e Shqipërisë, ai tashmë synon ta shtrijë marrëzinë dhe papërgjegjësinë e vet tej kufijve të saj, natyrisht as në Greqi dhe as në BE, por aty ku dënglat e tij shiten, qoftë edhe me një çmim dosido, pra në Kosovën e traumatizuar nga frustrimet e saj historike dhe politike.
Natyrisht, në rastin e takimit të Pejës, Edi Rama dëshmoi se nuk njeh sovranitetin e Kosovës, nuk e njeh traditën e popullit të vet, nuk di gjë për mirësjellje dhe punën e parë që bëri, shqelmoi derën e shtëpisë mikpritëse dhe, sipas prirjes së tij tashmë të njohur, me këmbët e tij me llucë dhe pëgëra, vandalizoi Kosovën e brishtë dhe fragjile në të gjithë përbërësit e saj. Përballë një Edi Rame të këtillë, që ndihet Zot në Kosovë dhe bëhet pulë para Serbisë dhe Greqisë, qeveritarët e Kosovës, të padijshëm dhe të pazot, të squlltë dhe inferiorë, pa autoritet dhe pa mbështetje elektorale, nuk kanë as guxim e kurajë, por nuk kanë dije dhe as vullnet politik që këtij vandali plangprishës t’i tregojnë derën. Kjo duhej të ndodhte, sepse Edi Rama, sikundër secili lider i Shqipërisë, edhe nëse është ithtar i madh i bashkimit kombëtar, së pari duhet ta respektojë sovranitetin e Kosovës, sepse në të kundërt bashkimi me të është aneksim (anschluss!). Por, sikundër tashmë e dimë fare qartë, Edi Rama nuk erdhi në Kosovë për gjepurat e tij rreth bashkimit kombëtar dhe as për ta mbështetur Kosovën përpara BE-së, por erdhi për të promovuar “partneritetin strategjik me Serbinë”, të Kosovës dhe Shqipërisë, një agjendë kjo e marrë me ngut edhe nga miqtë e tij, Thaçi dhe Vuçiq. Duke proklamuar një partneritet të këtillë, Edi Rama, bashkë me Qeverinë e Kosovës, që nuk u distancua prej tij, shkelën vlerat dhe arritjen më të madhe të historisë njëqindvjeçare të Kosovës: nëpërkëmbën partneritetin me Perëndimin, me SHBA dhe NATO-n, duke shpallur aleancën e frikshme me Serbinë dhe Rusinë si mecen i saj.
(Kjo fyerje që i bëhet Kosovës është e pashembullt, është fyerje ndaj historisë së saj të vjetër dhe më të re, është fyerje për dëshmorët dhe heronjtë e saj, për idealet dhe për ardhmërinë e saj. Njeriu habitet, si mund të prodhojë ky vend me një histori të këtillë politikanë kaq të padinjitetshëm, kaq luajalë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, në kohën kur ajo, pasi ka vrarë dhe ka prerë, ka shkatërruar dhe masakruar, ka dhunuar dhe ka turpëruar, pa kompensuar dëm dhe pa kërkuar falje, sërish kërcënon me zhbërjen e pavarësisë së Kosovës. Si është e mundur, pse kaq shpirtgjerë janë politikanët shqiptarë ndaj Serbisë, kur luftën politike mes veti e kanë aq të egër, si askush tjetër?!
Atëherë, duhet të jetë diku një interes i tyre suprem, që ua mpin trurin politikanëve tanë, të cilët, edhe pse disa prej tyre dikur kanë luftuar kundër Serbisë, tani bëhen qengja përballë saj. Dihet, përsëritja e historisë te ne është një sindrom që ndjek një cikël fatal dhe se arrivistë dhe bukëshkalë të këtillë ka pasur gjithmonë në të kaluarën tonë: njëqind e ca vjet më parë, Esat Pasha ia dorëzoi Shkodrën Malit të Zi e Serbisë, dhe Rusisë që u rrinte prapa, të cilën më pas mezi ua hoqi nga dora bashkësia e atëhershme ndërkombëtare. Por ky shpjegim patetik- historik nuk mjafton, sikundër nuk mjafton shpjegimi i zakonshëm për mungesën e një reagimi popullor dhe qytetar, i cili do të mbronte vlerat historike dhe demokratike, mungesën e një zëri të fuqishëm që trondit nga themelet dhe shkundullon në gjenezë vetë origjinën e idesë.)
Sido që të jetë, tashmë është krejt e qartë se dy qeveritë, të cilat në Pejë nuk arritën të bënin asnjë gram histori, ia dolën të realizonin një agjendë (të tymtë!) të përbashkët. Qeveria e Kosovës me masat populiste ndaj Serbisë dhe me ndihmën e ikonografisë patriotike të Edi Ramës është duke u përpjekur t’i përballojë pasojat e mosliberalizimit të vizave, të cilat nuk do të hiqen as kësaj radhe, jo vetëm për shkak të qëndrimit cinik të BE-së, të cilin gjithsesi e kemi merituar, por më shumë për shkak të dështimeve lapidare në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, jo vetëm kësaj radhe, ka dështuar me krejt agjendën e saj evropiane dhe, ç’është akoma më keq, ajo pandeh se duke ikur nga seancat e parlamentit, duke vonuar dhe duke mos votuar ligjet arrin t’ua hedhë pa u lagur masave shtrënguese të BE-së dhe njëkohësisht të mjegullojë ose të davaris disi bindjen tashmë të ngulitur te secili qytetar i Kosovës, se epiqendër e krimit të organizuar dhe korrupsionit është pikërisht klasa politike.
Më anë tjetër, Qeveria e Shqipërisë e Edi Ramës, duke i dalë zot Kosovës me “kërcënime” populiste ndaj BE-së (teksa tashmë ia ka caktuar Serbinë si partner strategjik!), përpiqet të përballojë përmes nacionalizmit të zvjerdhur refuzimin gati të sigurt të çeljes së negociatave me BE-në. Ky dështim politik i të dy palëve edhe në të ardhmen pritet të prodhojë bashkime kombëtare, unifikime doganash, heqje taksash, vënie taksash dhe kaçapordhica të këtilla tipike për estradën tonë politike, derisa të kuptohet një herë e mirë se dy shtetet tona ballkanike, përveçse histori dështimesh, ndoshta mund të prodhojnë një ditë edhe ndonjë “histori suksesi”, siç ishte ajo e Sanaderit apo Grujevskit!
Një çështje tjetër, që u duk sikur u vërtit në margjina të takimit të Pejës, por që e dominoi atë me hijen e errët dhe të frikshme, ishte korrigjimi i kufirit ose këmbimi i territoreve me Serbinë, ose e ashtuquajtura marrëveshje historike me Serbinë. Disa analistë dhe medie të Tiranës, akoma luajalë ndaj Edi Ramës, duke dashur ta mbitheksojnë supremacinë intelektuale të kryeministrit të Shqipërisë kundrejt mendjeve të kufizuara të politikanëve kosovarë dhe duke marrë mësim nga paternalizmi historik i Shqipërisë ndaj Kosovës, nuk ngurruan të thoshin se Shqipëria, më në fund, arriti ta merrte në dorë çështjen e Kosovës, jo pse këtë ia besoi vetë Kosova, as pse mund t’ia ketë besuar SHBA-ja dhe BE-ja, siç u përpoqën të gënjenin, por sepse Serbia mund ta ketë zgjedhur si partner të besueshëm Shqipërinë, për ta mbyllur një herë e mirë çështjen e Kosovës, në një kohë që faktori i politik i Kosovës, ose nuk ka mbështetje të brendshme, ose nuk shfaqet i besueshëm kundruall faktorit ndërkombëtar.
Ashtu sikundër pritej, Rama u shfaq i paepur, agresiv, arrogant, fjalëpistë në mbështetje të Thaçit dhe Vuçiqit, por pa treguar as kësaj radhe pse është kaq pasionant në mbrojtje të asaj kauze. Në të vërtetë, askush nuk e ka të qartë, ç’i hyn në punë Edi Ramës veriu i Kosovës, pse do me çdo kusht t’ia japë Serbisë këtë pjesë të saj? Që t’i hapë rrugën bashkimit kombëtar? E pabesueshme! Pse, aq naiv dhe i kufizuar të jetë Rama, dhe të mos i ketë dhënë aq mend edhe Thaçit, sa të besojnë që të dy se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të bëhet me ndihmën e Serbisë? Aspak. Fundja, pse ai nuk i shikon punët e veta me Greqinë, që të mos i shkelet sovraniteti orë e çast nga ultranacionalistët grekë, por vjen në Pejë e Prishtinë dhe i fut shkopinj nën rrotë Kosovës që mezi çapitet.
Askush në Kosovë nuk e beson se Rama dhe Thaçi nuk kanë një llogari të fshehtë politike, se angazhimi i tyre nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pa prapavijë dhe i motivuar nga ndjenja të sinqerta. Për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm. Vetëm se, pikërisht vetëm se, doli krejtësisht e paqartë, si ndodhi që, derisa Rama po përgatitej të promovohej si lider kombëtar, ndoshta pak i turbullt nga mendja, pak i gënjyer dhe euforik nga mbështetja e bashkëmendimtarëve të tij në Prishtinë, derisa kolovitej korridoreve të Klan Kosovës, Hashim Thaçi, mbase edhe i shantazhuar vërtet nga Gjykata Speciale, me takimet në Uashington tashmë shfaqej i paarritshëm për Edi Ramën: për mirë ose për keq, me lobim të paguar shtrenjtë ose lirë, që të ndahet ose të mbetet e bashkuar, në kancelaritë amerikane Kosovës nuk i referohet më askush përmes Serbisë ose Shqipërisë dhe as përmes Edi Ramës, natyrisht.
Ndërkaq, nëse është për të besuar se para 25 vjetësh, bashkë me Dobrica Qosiqin e Serbisë ishte angazhuar pa sukses për ndarjen e Kosovës edhe një ambasador i fuqishëm i SHBA-së, Uoren Cimerman, është krejt e besueshme se edhe Thaçi dhe Vuçiqi, pas pak kohe, do të dalin të pikëlluar nga kjo histori.
*Titulli origjinal i shkrimit është: E shkruar më 28 Nëntor
https://www.gazetaexpress.com/oped/shkruamehmet-kraja-e-shkruar-me-28-nentor-600378/