Të gjithëve na ka ndodhur që me shaka t’ia vështirësojmë përkthimin një shqiptari që na ka shprehur se është njohës i mirë i një gjuhe të huaj.
E kemi pyetur, po mirë ti që ditke të flasësh perfekt, si i thonë italianët “Pika që s’të bie”, “Nuk ta ha qeni shkopin”, e shumë shprehje të tjera shqiptare.
Shprehjet janë pjesa më e vështirë e një gjuhe, për t’u përkthyer e kuptuar nga dikush që s’e njeh vendin që i përkasin.
Ermal Meta e vërteton më së miri këtë. Ai ka postuar një fotografi, që vizualisht i përshtaten fjalët që ka shkruar shqip: Rri shtrembër e fol drejt.
Shprehja i përshtatej pozës së tij, por sfida më e madhe për të gjithë ndjekësit e tij ishte që të merrnin vesh kuptimin.
Shumë reagime pati nga fansat e tij shqiptarë, të cilët përgëzonin Ermalin për shprehjen në shqip.
Por nga ana tjetër, ndjekësit italianë dukeshin të pashpresë pasi nuk kuptonin asgjë, pavarësisht se tentonin ta përkthenin shprehjen në “Google”.
“Ku t’i gjejmë këta dreq përkthyes.”
“Nuk kuptova gjë, vetëm fjalën e fundit.”
“Shqipja nuk është një gjuhë e lehtë.”
“Në këtë rast, ndoshta do bënte punë përkthimi. Apo duhet t’i besojmë përkthimit të Google?”
“Këtë radhë duhet përkthimi.”
“Çfarë? Unë flas pak italisht dhe pak anglisht. Nuk e kuptoj gjuhën tënde.”
“Edhe pse nuk e dimë shqipen nuk ka problem. P.S: Mundet gjithmonë ta mësojmë.”
Në ndihmë të tyre erdhën shumën ndjekës shqiptarë të këngëtarit, të cilët i përkthyen shprehjen në italisht, pavarësisht se nuk ishte e lehtë.