Nga Ilir Haxhiaj
Pse nuk bëjmë hajër?
Në një dokumentar në Top Channel, thuhej në mënyrë cinike se në 28 vitet e fundit “kemi 33 mijë vajza të munguara”, prej abortit selektiv. Pra, kanë pritur të rritet foshnja në bark derisa t’i dallohet gjinia, pastaj është “hequr, abortuar”. Duket qartë se kemi të bëjmë me krim të paramenduar, vrasje e shkallës se parë! Krim për karrige elektrike, për litar, për plumbin ballit!
Po ç’është ky term “të munguara”, njëherë?! Si mundohemi kështu ta “zbusim” brutalitetin e këtij krimi? Ato 33 mijë vajza nuk janë të “munguara”, o katil i gjuhës dhe i propagandës, se ato nuk kanë ikur pa leje nga ora e mësimit! Ato janë vrarë, janë foshnja të nxjerra dhunshëm nga barku i nënës, janë copëtuar nga “shpatat dhe bajonetat” jo të serbëve dhe grekëve, por nga doktorët tanë, me lejen e prindërve të tyre! Sado krime monstrueze të jenë bërë në Kosovë e Çamëri, kurre nuk kanë arritur deri aq sa të vrasin 33,000 foshnja në barkun e nënës.Dhe nuk janë vrarë, jo! I KEMI vrarë! I ka vrarë ky popull me duart e veta, për të vetmin faj: që ishin vajza!
Heeeej! Është shfarosur një qytet, një qytet me fëmijë. Gjaku në bark të kalit! Koka të këputura, krahë e kembe të hedhura gjithandej… Pa bombardim, pa predha artilerie, por vetëm me një thikë të mprehtë!
Kjo është pa diskutim masakra më e madhe në historinë e këtij kombi. E nga kush? Të na marrin të keqen serbët e grekët, se i kemi lënë në bisht! Kjo masakër është kryer dhe vazhdon e kryhet nga vetë ne!
Për çdo vrasje të tille ka të pakten tre përgjegjës: dy prindërit miratues dhe një doktor ekzekutues. Pra, kemi të paktën 100 mijë vrasës gjakftohtë që qarkullojnë lirshëm mes nesh. 100 mijë kriminelë, që kanë therur bijat e tyre, pastaj, me gjakun e freskët ende në duart e tyre, dalin e hanë e pinë bashkë me ne. Dhe ne vazhdojmë e bërtasim alla evropiançe për plehrat në rrugë, për pyll orbital, për simbole të shkulura dhe si-bole të vëna…