Ambasada shqiptare në Athinë ka marrë sot paradite një njoftim për bombë. Burime nga trupi diplomatik bëjnë me dije se alarmi për bombë është dhënë përmes një telefonate në ambasadën shqiptare duke terrorizuar dhe evakuuar stafin.
Ambasada shqiptare ka njoftuar policinë greke, e cila ka bërë rrethimin e perimetrit të sigurisë së ambasadës. Pas kontrolleve nuk është gjetur asnjë bombë dhe alarmi ka rezultuar fals.
Lajmi i alarmit për bombë në ambasadën shqiptare në Athinë u konfirmua edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë thirrjes për sqarime që iu bë sot ambasadores greke në Tiranë.
MEPJ bën me dije se ambasadores Eleni Surani iu kërkua distancimi dhe dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Gjithashtu Tirana zyrtare kërkon nga Athina të marrë masat për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë në Greqi.