Byroja e Kuvendit ka miratuar më në fund udhëzuesin e detajuar për zbatimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve, i cili është kërkuar me këmbëngulje nga organizmat e Bashkimit Evropian prej më shumë se katër vitesh.
Udhëzuesi parashikon një tërësi më të detajuar rregullash dhe parimesh për sjelljen e deputetëve, ndërsa synon plotësojë me interpretim, shpjegim ose me rregulla procedurale, Kodin Sjelljes së Deputetëve. Udhëzuesi i kushton një rëndësi të veçantë stilit të veshjes së deputetëve dhe sjelljes së ligjvënësve në jetën private.
Pika pesë e udhëzuesit parashikon që veshja e deputetit gjatë seancave të komisioneve, seancës plenare, pjesëmarrjes në mbledhje të organeve të Kuvendit ose takimeve të organizuara, duhet të jetë e përshtatur me funksionin, të përshtatet me mjedisin e veprimtarive parlamentare si dhe të përcjellë normat dhe parimet etike të atij që e mban. Udhëzuesi parashikon që drejtuesi i mbledhjes, seancës etj., nëse konstaton se deputeti ka veshje të papërshtatshme, e nxjerr jashtë deputetin për të përshtatur veshjen. “Pamja, kontaktet për shkak të punës, veprimet dhe përshtypja e përgjithshme që deputetët japin në punë, janë faktorë të rëndësishëm edhe për ruajtjen e reputacionit të institucionit të Kuvendit, i cili duhet të jetë në përputhje me tendencat mbizotëruese në nivele institucionesh të ngjashme.
Të gjithë deputetët, pavarësisht gjinisë, duhet të jenë të vetëdijshëm që të kenë një pamje të jashtme zyrtare, profesionale dhe të përshtatshme. Është përgjegjësi e drejtuesit të seancës, ose në përgjithësi të drejtuesit të mbledhjes ose ftuesit të një takimi, që të monitorojë respektimin dhe të tërheqë vëmendjen për respektimin e kodit të veshjes nga deputetët. Në rast se drejtuesi i seancës së komisionit, seancës plenare ose i organit të Kuvendit konstaton mosrespektim të Rregullores, fton deputetin të largohet dhe të përshtatë veshjen”, thuhet në udhëzues.
Vijat e kuqe për burrat
Udhëzuesi parashikon disa vija të kuqe sa i takon veshjes së deputetëve. Në udhëzues janë marrë dy modele, që duhet të respektohen nga meshkujt. Modeli i parë për meshkujt parashikon këmishë me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata serioze/jo të rastit / të shkujdesura (casual).
Gjithashtu rekomandohet të vendosin një kravatë, e cila duhet të jetë e lidhur mirë. Modeli nuk parashikon atlete, por vetëm këpucë serioze. Meshkujt duhet të shmangin aksesorët dhe stampat e dukshme, duhet të jenë gjithmonë të rruar ose në çdo rast me mjekër dhe flokë të kuruar e të rregullt.
Modeli i dytë i përket Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon kollare dhe një këmishë serioze, zyrtare. Xhaketat janë të rekomandueshme, por nuk kërkohen. Pantallonat duhet të jenë zyrtare dhe të vishen me këmishë. Xhinset ose pantallonat e shkurtra nuk janë të duhurat dhe janë të papranueshme. Këpucët duhet të jenë zyrtare dhe të përshtatshme për eventin.
Vijat e kuqe për femrat
Femrat nuk duhet të veshin fundet e shkurtra, dekoltetë, veshjet pa mëngë, materialet sportive ose ekstravagante (xhinse, lëkura) ose ngjyrat e forta; këpucë zyrtare të mbyllura para dhe të shmangin takat e larta (mbi 7 cm), platformat, si dhe ngjyrat e forta; nëse duhet të përdorin bizhuteri, ato duhet të jenë fine dhe elegante; të shmangin tualetin e tepruar (të përdorin ngjyra të lehta) dhe parfumin e tepruar; të shmangin aksesorët e mëdhenj dhe me ngjyrë të fortë; të shmangin lyerjen e thonjve, prerjen e flokëve dhe përdorimin e ngjyrave, në mënyrë ekstravagante.
Modeli dytë për femrat
Modeli i OKB që duhet të respektojnë deputetet e shqiptare parashikon një bluzë e këndshme, por dekolteja nuk duhet të jetë e dukshme. Për ta bërë veshjen të duket akoma më mirë, xhaketa do të ishte perfekt. Të gjitha femrat duhet të veshin pantallona, gjatësia e të cilave të jetë poshtë gjurit.
Nëse vishet fustan, ai duhet të jetë serioz, zyrtar, i përshtatshëm për eventin dhe jo fustan mbrëmje. Fustani nuk duhet të jetë i hapur sa të arrijë skajet e shpatullave. Gjatësia e fustanit duhet të jetë deri poshtë gjurit. Duhet mbajtur parasysh tё mos jetë i ngushtë, me përjashtim të pjesës së belit. I njëjti rregull aplikohet dhe për fundet. Nëse femrat dëshirojnë të veshin funde, gjatësia e tyre duhet të jetë deri poshtë gjurit. Po ashtu kërkohen dhe këpucë serioze. Fundet sportive dhe shapkat e plazhit nuk lejohen. Rregulli i prerë është jo dekolte të tepruar, jo shpatulla jashtë dhe jo gjunjë të zbuluar!