Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë nga radhët e partisë së kancelares Merkel, Peter Beyer, në takimin që ka pasur sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përsëritur qëndrimin kategorik të Gjermanisë kundër idesë së korrigjimi të kufijve.
Për këtë gjë ka folur pas takimit vetë deputeti gjerman Beyer, pasi që Thaçi në komunikatën për media e kishte fshehur një gjë të tillë.
“Ideja për ndryshim apo shkëmbim të territoreve është një ide me rrezik të lartë”, ka qenë qëndrimi i deputetit gjerman, ndaj të cilit Thaçi ka reaguar mjaft ashpër.
“Unë jam president i këtij vendi, unë vendos”, raportohet t’i ketë thënë Thaçi.
Deputeti gjerman, gjithashtu, ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni kryesor që duhet të vendosë për çështje të tilla që kanë të bëjnë me territorin.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Këto komente i ka bërë gjatë një takimi me gazetarë.