Përmes një deklarate, Shoqata Patriotike “Çamëria” bën të ditur se nuk ka një Shoqatë Çamëria në Vlorë. Shoqata “Çamëria” bën të ditur se është e dënueshme ligjërisht shpërdorimi i emrit dhe siglës në takimet që bien ndesh me amanetin e tyre.
Deklarata e Shoqatës Patriotike “Çamëria”:
Shoqata Patriotike “Çamëria” duke marrë shkas nga takimi i mbajtur në Vlorë, i bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj dhe komunitetetit Çam, që të mos bien pre e veprimeve përçarëse të individëve, të cilët nuk kërkojnë zgjidhjen e çështjes Çame, por kërkojnë pushtet.
Kalvari i përpjekjeve tona, të paepura ndër vite nuk mund të zbehet nga skenarët e Athinës, të cilët sot më shumë se kurrë po faktohen, që janë kundër Çështjes Kombëtare Çame.
Zbulimi i financimeve të errta nga Fondet Sekrete të qeverisë greke për median shqiptare, na krijon dyshimin se financimi mund të jetë i shtrirë edhe tek individë të caktuar në Shqipëri.
Shoqata Patriotike “Çamëria”, e themeluar në vitin 1991, nga disa patriotë me itegritet të lartë moral, i cili vazhdon edhe sot brenda shqoqatës, nuk mund të nëpërkëmbet nga deklaratat, thirrjet, takimet, financimet dhe lufta për të dëmtuar amanetin e të parëve tanë. Misioni ynë është një dhe i vetëm.
Të gjithë shqiptarët e Çamërisë duhet të jenë bashkë, jo për interes, por për të çuar drejt zgjidhjes kauzën tonë. Të gjitha takimet të cilat bien ndesh me amanetin tonë, duke keqpërdorur emrin e Shoqatës Patriotike “Çamëria” janë të papranueshme nga ne. Është e dënueshme ligjërisht shpërdorimi i emrit dhe siglës, pasi nuk ka një Shoqatë Çamëria në Vlorë. Ka vetëm një Shoqatë zyrtare Patriotike në të gjithë Shqipërinë dhe të gjitha qytetet kanë degët e saj.