Nga Iva Tiço
Dikur thuhej se për të dalluar një zotëri duhet ta zbrisje shikimin poshtë,ntek këmbët, e t’i vlerësoje këpucët. Ndaj dhe janë thurur kaq shumë mite për to, aq sa të lënë pas edhe diamantët, si miqtë më të mirë të vajzave. Por ja që sot po njohin një konkurrente shumë të madhe: çantën. E kush ka nge dhe terezi të ulë sytë deri poshtë tek këmbët, për të parë këpucët, kur mund t’u tundësh një çantë përpara syve… Plus që këpucët nuk duken fare në shumicën e fotograve në Instagram. Duhet të bësh
akrobaci që t’i nxjerrësh. Kurse me çantën e ke kollaj. E mban në dorë. E vë në prehër. Në krah. Mbi tavolinë, bashkë me lxhanin e kafes. Mund ta vësh edhe përpara fytyrës, foto kështu merr edhe më shumë “like”.
I shohim çantat kudo. Të vockla e të mëdha, me ngjyra, njëngjyrëshe, me gurë, me xixa, me forma nga më të çuditshmet. Dhe me logo sigurisht. Nga ato që bien në sy. Madje jo veç logo, se këto shtëpitë e logove dinë se si t’ua marrin lekët njerëzve: fap i fusin një detaj “limited edition”, një shirit me ngjyrë që bie në sy apo disa lule mbi dizainin e loguar dhe ja ku ke çantën që tregon se është prodhuar vetëm këtë vit dhe kushton dyshin e atyre që kanë të njëjtën logo e që befas duken krejt varfanjake para motrave të tyre të reja.
Ku t’i shohësh këto çanta? Kollaj fare. Bëj një xhiro në faqet e blogereve të huaja, atyre që e nxjerrin bukën e gojës me këtë punë dhe pastaj dil tek faqet e vajzave shqiptare. Ose po pate fat të frekuentosh ndonjë nga restorantet më të njohura të Tiranës, atëherë mund të njihesh me vajzën e famshme dhe çantën e saj njëkohësisht. E sheh teksa vjen (vajza sigurisht, çantën mund të mos e pikasësh menjëherë) dhe e kupton se kush është prej kokave të kthyera njëherësh, edhe pse nga afër nuk ngjan dhe aq seksi sa në foto apo ekran. E ndërsa vret mendjen nëse ajo përdor shumë fotoshop apo thjesht lyhet ndryshe nëpër foto dhe vret mendjen se si të bësh që të zbulosh me stil nëse të pasmet i ka të vërteta apo i nxjerr thjesht në poza, siç përitet, ajo nuk të lë kohë të merresh me të tilla detaje, sepse ja ku ka bërë protagoniste të mbrëmjes çantën: në një karrige ulet vete, tek tjetra ulet çanta. Jo në një karrige dosido, por në një karrige të krah të saj, gati jashtë tavolinës. Aty ku e shohin të gjithë çantën e vënë bukur në mes.
Këmbët e vajzës nuk duken, i mbulon tryeza. Canta në krah të saj duket më së miri. Ka logot, shiritin e gjelbër, lulet. Nja katër mijë euro, sipas shoqeve të mia, që marrin vesh nga këto punë. E meriton pra karrigen më vete, vendin e dukshëm.
Bashkëbiseduesit e saj në tryezë janë krenarë që janë me të. Buzëqeshin të lumtur dhe shohin njerëzit vërdallë me krenari. Vajza gjithashtu, dhe pas çdo buzëqeshjeje hedh sytë tek karrigia ngjitur: çanta e saj duket se po ia kalon mirë gjithashtu.
Pastaj vjen një i pestë në tryezë. Zgjat dorën nga karrigia bosh dhe bën të ulet. “Moooos”, themi dhe ne të tryezës sonë dhe na ngrin gjaku, se mos ai bën gjëmën dhe ulet mbi çantë. Por jo, mysari
i ka mendtë në kokë, e merr në dorë me kujdesin me të cilin do transportonte dhe një bombë atomike dhe ia jep vajzës. “Vë bast se do e mbajë në prehër”, thotë një nga shoqet e mia. “Më në fund do e varë në karrige, si gjithë çantat e botës”, thotë tjetra. Gabohen të dyja. Vajza bën me dorë nga kamerieri, kërkon diçka dhe ai ia sjell: një karrige e gjashtë afrohet në tryezë dhe çanta sistemohet në të. Spostohen të pesta karriget derisa karrigia e çantës të jetë në një vend të dukshëm. Tani po, e shohim sërish të gjithë.
E shohim dhe e admirojmë: asnjë qenie e gjallë nuk është trajtuar me kaq respekt deri më sot. Duhet të jetë vërtet një çantë shumë e dashur. Ndoshta e ka blerë me shumë sakrifica, do ketë kursyer shumë. Ndoshta e ka pasur ëndërr. Ndoshta i shkon me shumë rroba dhe do që ta ketë për një kohë të gjatë. Ndoshta është e para gjë kaq e shtrenjtë, që ka arritur të zotërojë dhe i tregon se sa mund të arrijë në jetë paskëndaj. Ndoshta kërkon që të gjithë të shohin se ajo paguhet aq sa t’i lejojë vetes blerje të tilla.
Ose ndoshta e ka fituar këtë çantë rastësisht dhe po mundohet t’u tregojë të tjerëve se ia vlen të paguhet aq që sot e tutje… Në fund të fundit kështu është kjo punë: nuk ka rëndësi sa vlejnë punët që bën ti, rëndësi ka t’u tregosh të tjerëve që kaq është standardi jot dhe ti nuk mund të biesh nën të. Funksionon, mesa duket. Ndaj e bëjnë të gjithë.
Ndaj vajza bëni si të bëni dhe shiheni njëherë me tjetër sy këtë punën e çantave. Nuk është thjesht aksesori ku ti fut gjërat e përditshme, celularin dhe çelësat e shtëpisë, por qenka mjeti me të cilin ti tregon kush je, sa fiton, ç‘jetë bën dhe çfarë kërkon, që njerëzit të mendojnë për ty. Dhe si e tillë, meriton ta trajtosh si partnere, t’i lësh karrigen ngjitur, ta duash si gjënë më të shtrenjtë. Do dukesh vërtet ca si budallaçkë, por sa ta kuptojnë ata të tavolinës ngjitur këtë, ti do të kesh bërë përpara…Le të qeshin sa të duan të tjerët, ti ke çantën. Nuk është pak, nuk është arritje që e realizojnë të gjithë. E ke në ditë të mirë e të keqe, kur je e lumtur apo e dëshpëruar, vetëm apo në shoqëri. Të gjithë mund të të tradhtojnë, të të braktisin, të të kthehjë kurrizin, çanta kurrë… derisa vdekja t’ju ndajë. Atëherë mund të thonë: ishte një vajzë e përsosur. Një njeri i shkëlqyer. Dhe në jetë kishte arritur të kishte çanta të shtrenjta.
http://www.tiranapost.al/pershendetje-si-je-canta-mire-nga-shpia/