Nga Artan Shabani
Një ditë tipike vjeshte piemonteze të vitit 1996, prezantoja në Torino një ekspozitë në rrugën që mban emrin e lumit Po. Më kujtohet ende lagështia e ajrit që hynte në sallë nga portikatet e larta, ajër piemonti që shpesh e ndjeja në pikturat e Felice Casoratit apo të Gigi Chessa-s. Vizitorët e shumtë ishin kuriozë për të parë prurjet e piktorit të ri dhe ndaleshin përballë portreteve tipike të malësoreve ose të burrave me fustanella të jugut shqiptar, piktura të ndryshme që kërkonin të shkëmbenin vështrimin e publikut me atë të ngurtësuar në kolor dhe në pastozitetin e penelatave. Në një moment hyri një zotëri dhe më pyet për vendin nga vija, u përgjigja që isha nga Shqipëria, befas ne portretin e tij rezatoi nje shkëlqim i thellë qe buronte ne menyrë te natyrshme.
Kishte diçka që nuk arrija ta deshifroja brenda vetes, një mozaik që nuk e kompletoja dot plotësisht, ndërsa i shoqëroja për t’u treguar punimet, filluam të bisedonim për Shqipërinë dhe zotëria me fliste për artistët shqipëtar gjatë viteve midis dy luftërave. Mbas pak më fton për një Bicerin [bitʃeˈriŋ] diku në Piazza ‘Cavour’. Qëndruam gjatë.
Ishte një burrë fisnik, me shumë kulturë, kishte studiuar në Torino gjatë viteve para luftës. Biseda e tij hidhte dritë mbi një Itali për mua të panjohur plotësisht; më foli veçanërisht për studentët shqiptarë që në ato vite kishin frekuentuar shkollat italiane, nga Trieste në Torino, nga Milano në Napoli, nga Roma në Firenze, e kështu me rradhë, por kënaqësinë më të madhe e kishte kur tregonte për piktorët dhe skulptorët e diplomuar në akademitë italiane. Shpjegonte me zellin e një kuratori të përkryer, fort i dashuruar pas artit dhe kulturës. Në fjalët e tij ndihej entuziazmi i periudhës kur Italia spikaste me avangardën, me krijimin e grupeve artistike, me efektet e rrymës futuriste, një lëvizje intelektuale që depërtoi në poret e shoqërisë italiane falë gjenisë së artistëve si Umberto Boccioni, Gino Severini, Giacomo Balla, Bruno Munari, Giorgio de Chirico, Arturo Martini, Aligi Sassu, Lucio Fontana, Felice Carena, Orfeo Tamburi, Felice Carena, Carlo Levi, etj të cilët thyen ekuilibrin e pikturës akademike duke lënë gjurmë të pashlyueshme në historinë e artit të Nëntëqindës. Është periudha kur komponentët kulturorë të “Belpaese” njohin një pasurim të madh. Shumë artistë, intelektualë nga USA apo vende të ndryshme të Europës frekuentonin qëndrat e kulturës si Roma, Venecia, Firence, Napoli, Torino, Trieste etj duke e kthyer Italinë në një destinacion të rëndësishëm për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme, dhe kryesisht për artet e bukura.
Janë pikërisht vitet në të cilat shumë shqiptarë të talentuar, për t’i bërë ballë mungesës së strukturave akademike në vendin e tyre, shkonin në Itali, veçanërisht në Romë dhe Firenze, për të frekuentuar shkollat e arteve italiane. Artistët si Andrea Mano, Abdurrahim Buza, Abdulla Cangonji, Bukurosh Sejdini, Hasan Reçi, Kristina Koljaka, Sabri Tuçi, Kol Idromeno, Zef Kolombi, Guri Madhi, Foto Stamo, Odhise Paskali, Fadil Pellumbi, Vangjush Mio, Shefqet Agalliu, Qamil Grenxa, Vladimir Jani, Ibrahim Kodra, Kel Kodheli, Simon Rrota, Dhimiter Çani, Vangjush Tushi, Nexhmedin Zajmi, etj përjetuan një moment të papërsëritshëm të kulturës italiane, që kushtëzoi formimin dhe krijimtarinë e tyre të hershme dhe përfaqësoi më pas bagazhin kulturor që i përcollën gjeneratave që edukuan në Akademinë e Tiranës.
Ndryshe nga artistët italianë, arti i të cilëve nuk u kushtëzua nga censura apo nga propaganda politike por pas Luftës së Dytë Botërore qenë të lirë për të eksploruar botën e qytetëruar, duke rënë në kontakt me galeritë më të mira të Parisit, Londrës apo New York-ut, artistëve shqiptarë të formuar në akademitë italiane dhe të kthyer në Shqipëri, pak vite pas përfundimit të luftës nacional-çlirimtare iu desh të përballen me frymën bolshevike, me pikturën e artit të angazhuar dhe të propagandës, së një vend të izoluar ku arti shpejt do të kthehej në një mjet edukues për masat e një shoqërie të re, të formuar me idealet e Partisë së Punës.
Burri i mençur z. Sherko më rrëfeu për kthimin e tij në Tiranë ashtu si u rikthyen artistet shqiptar. Ishte pra, edhe ai, një nga shqiptarët e rikthyer në atdhe pas luftës. Më tregoi bisedat me Jusuf Vrionin, miqësitë me fotografin Pleurat Sulo, Zef Simonin, Sabiha Kasimati dhe me shokët e kohës studentore. Me atë rast kuptova kurthin që jeta u ngriti atyre që kishin jetuar jashtë atij vendi të vogël në fillim të shekullit të shkurtër, një shaka e hidhur për aspiratat e të gjithë atyre që u kthyen me entuziazëm për t’u vënë në shërbim të ndryshimit të asaj Shqipërie të varfër, ku nevoja për dije dhe kulturë ishte më e madhe nga mbijetesa shekullore.
Po kush ishte z. Sherko? z. Sergej? shoku Sergj? kush ishte ky zotëri qe sot rikthehet si dëshimtar i kohës?
Sergej Sherko lindi në Odessa në 1920, nga baba shqiptar (Mihal Sherko) dhe nënë ruse (Elena D’Arkudinski), vajza e kryebashkiakut të Odessës. Familja e saj bënte pjesë në aristokracinë ruse me lidhje gjaku me Romanovët. Më 1924 ikin nga Rusia e vijnë në Shqipëri. Z. Sherko e kishte filluar shkollën fillore italiane më 1926 në Tiranë dhe më 1931, kur ishte 11 vjeç, kishte shkuar në Korfuz për të vazhuar shkollën tetëvjeçare. Zotëronte në mënyrë të përkryer rusishten, shqipen, italishten dhe frëngjishten, në Korfuz perfeksionoi dhe greqishten e latinishten. Më 1936 në moshën 16 vjeçare shkoi në Torino për të studiuar në kolegjin San Giuseppe, që frekuentohet edhe sot nga elita e Torinos. Në kursin e një viti më poshtë ishte dhe avokati Giovanni Agnelli. Mbas përfundimit të liceut më ‘41 vazhdoi fakultetin ekonomik, shkollë që mund ta bënte me korrespondencë meqë ishte kohë lufte.Me fillimin e bombardimeve në Torino më 1943, u kthye në Shqipëri ku mbeti për pesëdhjete vjet në izolim. Kur u rikthye në Itali shokët e rinisë i gjeti tashmë 70 vjeçarë. Mes miqve të tij kishte qenë dhe Nako Spiro, me të cilin ishte njohur në Korfuz dhe më pas kishte ndarë shtëpinë në Torino në Corso Vinzaglio. Në Itali e thërrisnin Sergio, në Shqipëri nga Sergej i thirrën Sergj.
I përkiste brezit të fundit që kishte studiuar në akademitë italiane dhe në Europën perëndimore në përgjithësi. Për të gjithë të tjerët një mundësi e tillë do të mbetej një ëndërr e ndaluar deri pas rënies së Murit të Berlinit.
Secili prej artistëve shqiptar te lartpërmendur ka histori per te shkruar, per ta ekspozuar, per ti treguar gjeneratave të reja histori të paharruara.
Koleksioni që prezantohet në Rezidencën italiane është pjesë e vyer e trashëgimisë kuturore të artistëve të atij brezi, konservuar me dashuri të pamasë dhe me kujdes të veçantë prej familjarëve. Çdo vepër e këtij katalogu, që Ambasada e Italisë ka nderin të ekspozojë dhe të publikojë, mbart intimitetin e një jete të tërë, që ne e trajtojmë me respektin që u takon artistëve dhe kujtesës së tyre.
Ky koleksion i drejtohet artdashësve dhe publikut të gjerë, vecanërisht brezave të rinj, të cilëve u jepet mundësia të njohin më mirë zhvillimet e historisë së artit shqiptar. Në këtë ekspozitë janë të prezantuar vetëm një pjesë e atyre artistëve që gjatë viteve ndërmjet dy luftrave botërore studiuan në Romë, Firence, Trieste, Milano, etj. Disa nga veprat e këtij katalogu vijnë për herë të parë dhe kjo e shton edhe më tej kureshtjen e shikuesit. Ideja e projektit shtrihet në paraqitjen para publikut të disa punime në pikturë, grafikë, vizatim, pastel etj., kriteri i përzgjedhjes së të cilave është bërë kryesisht duke pasur parasysh rendin kronologjik të krijimit.
Me shumë mirënjohje falenderoj Shkëlqesinë e tij, Ambasadorin Alberto Cutillo, për mundësinë e krijuar në ekspozimin dhe publikimin e veprave në Rezidencen italiane. Njohja dhe ruajtja në mënyrën më dinjitoze të mundshme të kësaj pjese të historisë është detyrë e të gjithëve, nga institucionet publike deri në arkivat familjare të cilat trashegojnë pikturat, skicat, skulpturat dhe gjithçka që ka lënë shenjë në krijmtarinë e secilit artist.
Një falenderim të veçantë Institutit italian të kulturës, familjarëve te artistëve dhe koleksionistëve shqiptarë, z.Maksim Mitrojorgji, z.Kozma Dashi, z.Fuli Kalivopulli, z.Pandi Madhi, z. Ilir Voci, Agron Pellumbi, Shpëtim Reçi, Bkurosh Reçi, që me shumë kujdes dhe pasion kanë hulumtuar pareshtur për të zbuluar dhe për të ruajtur trashëgimisë artistike të gjysmës së parë të Nëntëqintës shqiptare, si dhe studiuesve që me punimet e tyre prestigjoze kanë ndihmuar në njohjen dhe vlerësimin e krijimtarisë të së njëjtës periudhë.