Nga Klodian Tomorri
Përtej kuriozitetit për të parë Shqipërinë, ka një arsye tjetër se pse jahtet gjigande që udhëtojne në ujërat mesdhetare vijnë në brigjet e Shqipërisë. Ai është çmimi i ulët i karburantit.
Për shumë njerëz ky mund të duket paradoks, pasi Shqipëria është një nga 10 vendet me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë. Por çmimi i karburanteve për jahtet ka një histori tjetër.
Për shkak se jahtet konsiderohen si mall luksi, të gjitha vendet përreth nesh kanë një takse të posaçme shumë të lartë për karburantin që shkon për furnizimin e tyre. Ndërsa Shqipëria e takson karburantin e jahteve njësoj si naftën dhe benzinën, që përdoret për automjetet e qytetarëve, transportin publik apo dhe traktorët e fermerëve.
Jahtet kanë një konsum shumë të lartë karburanti. Për këtë mjafton një shembull. Jahti që u ankorua dje në Sarandë u furnizua nga kompanite shqiptare me 850 mijë litra karburant. Nëse i njëjti jaht do ta blinte këtë sasi karburanti në Mal të Zi apo Greqi do të duhej, që për shkak të taksës të paguante minimalisht 100 mijë euro më shumë për karburantin. Shumë mund të mendojnë se një i pasur që zotëron një jaht me vlerë 400 milionë euro nuk i bëjnë përshtypje 100 mijë euro. Unë kam parë të pasur që bëjnë pazar për shumë më pak. Ndoshta kjo është natyra njerëzore. Edhe miliarderëve u dhimbsen lekët.
Për një qeveri të përgjegjshme ky do te ishte një burim i mirë për të mbledhur ca të ardhura shtesë. Por për qeverinë tonë, rezultoi një gropë më shumë për të shpikur një koncesion tjetër që transferon taksat nga buxheti i shtetit në llogari private.
Dy muaj më parë Këshilli i Ministrave e ka dhënë portin e jahteve të Sarandës me koncesion tek një kompani private shqiptare. Çfarë ka ndodhur më pas? Koncesionari ka vendosur taksë private mbi karburantin e jahteve. Respektivisht 85 dollarë për çdo ton. Për sasinë me të cilën u furnizua jahti një ditë më parë në Sarandë janë plot 72 mijë dollarë.
Kompania që ka marrë me koncesion portin nuk ka bërë asnjë investim në të. Thjesht ka vënë një gardh dhe çdo autoboti që kalon kufirin e portit për të furnizuar jahtet i merr taksën.
Ky është një biznes të paktën 5 milionë euro në vit. Pyetja që shtrohet është pse qeveria nuk i merr këto para në arkën e shtetit, por i transferon në llogari private? Për pese vjet mund të gjente dhe paratë për të ndërtuar teatrin e ri, për të cilin thonë se nuk ka fonde.
Një shtet dhe një qeveri kanë burime të pafundme fondesh, madje të tilla që nuk dëmtojnë rritjen ekonomike dhe as rëndojnë qytetaret. Ajo që mjafton është vullneti për t’i çuar paratë në arkën publike dhe jo në kontot private të koncesionarëve.