Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin për prokuroren e Rrethit gjyqësor Tiranë, Antoneta Sevdari. Sipas KPK-së, Sevdari ka rezultuar e pastër në të trija shtyllat e hetimit.
Sevdari doli dje para KPK-së, në një seancë dëgjimore ku u prezantuan të dhënat e grumbulluara nga KPK-ja për prokuroren. Antoneta Sevdari ka dalë e pastër si nga deklarimi pasuror, aftësia profesionale dhe pastërtia e figurës.
Antoneta Sevdari është kandidate për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sevdari doli vetë dje para KPK-së, duke mos pranuar të përfaqësohet nga avokati. Nga raporti i KPK, prokurorja ka rezultuar me deklarim të rregullt pasurie, nuk ka kontakte me botën e krimit si dhe është e aftë profesionalisht.
Sipas KPK, prokurorja ka bërë deklarim të saktë dhe nuk konstatohet fshehje pasurie. Prokurorja disponon pasuri tokë arë me sipërfaqe 350 m2 në pronë të familjes, blerë në vitin 2001. Në këtë truall prokurorja ka një shtëpi banimi, ndërtuar pa leje dhe legalizuar në vitin 2013. Gjithashtu, prokurorja ka edhe një apartament me sipërfaqe 101 m2, blerë në vitin 2011 në vlerën e 97 500 euro. Burimi nga paga dhe të ardhura nga bashkëshorti i cili punon si inxhinier gjeoteknik.