Një zyrtare e lartë e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, është kapur duke vjedhur në një dyqan në Bruksel.
Policia belge është përfshirë në skandal, e ministri Shyqiri Bytyqi e ka pezulluar menjëherë zyrtaren.
Gjatë kësaj jave, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka udhëhequr një delegacion të MASHT-it që ka marrë pjesë në takimin e 7-të ministror në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion.
Një zyrtare e lartë e MASHT-it, emër i njohur për redaksinë, për një moment gjatë vizitës është ndarë nga pjesa tjetër e delegacionit dhe ka shkuar për të bërë shopping. Në njërin prej dyqaneve në qendër të Brukselit, ajo është kapur duke vjedhur.
Zonja ka blerë disa gjëra në dyqan e disa të tjera i ka futur në çantë. Vlera e gjërave të vjedhura ishte 40 euro.
Sigurimi ka ftuar Policinë e cila e ka intervistuar zyrtaren e MASHT-it, e cila më pas është liruar dhe i është ribashkuar delegacionit.