Një ngjarje e papranueshme ka ndodhur mbrëmë në stadiumin “Nizhny Novgorod” gjatë ndeshjes së Botërorit mes Argjentinës dhe Kroacisë.
Disa tifozë argjentinas të mërzitur me ekipin e tyre pasi po humbiste ia kanë nxjerrë inatin mbështetësve kroatë. Në një nga tunelet e stadiumit ata kanë sulmuar 2 tifozë ballkanas, me njërin prej tyre që bie në tokë.
Momentet tronditëse nuk mbarojnë me kaq, pasi edhe pse i shtrirë në tokë një tifoz argjentinas vijon ta godas me shqelm në kokë kroatin.
Normalizimi i situatës ka ardhur pas ndërhyrjes së rojeve të sigurisë, por pa dyshim që ky akt nuk ka aspak lidhje me futbollin.
Kujtojmë që Argjentina u mposht me shifrat 3-0 nga Kroacia duke komplikuar ndjeshëm kalimin e tyre nga grupi.