Është promovuar “Komiteti Antifashist Çam” i Hektor Sejkos, i cili është një libër historik që tregon me fakte, dokumente se sa i madh ka qenë lufta që shqiptarët e Çamërisë kundër pushtuesëve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/1910726588967061/
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtim Idrizit e mbajtur me këtë rast:
Të dashur miq,
Një dhe vetëm një metodologji kanë ndjekur fqinjët ndaj shqiptarëve; manipulimin e historisë.
Këtë e kanë bërë me zell të shfrenuar dhe e bëjnë me një vullnet për t’u admiruar sot e kësaj dite.
Kanë marrë, përvetësuar eposin, legjendat, heronjtë kombëtar, historinë dhe në fund na kanë treguar neve me gisht.
“Orakulli i Dodonës” është fillesa, është miti, mbi të cilën u ngrit Olimpi, Perëndia e zëshme Zeus. Por, askush në shtetin fqinj, madje askund në botën akademike që është në Greqi nuk flet më për të, apo ta studiojë këtë të fakt. Heshtin.
Po mos të ishin profesorët Arsim Spahiu dhe Apollon Baçe, ka gjasë që as ne mos t’i dinim më këto rrënjë të lashtësisë sonë pellazgjike. Po përse nuk duan të flasin? Sepse, “Orakulli i Dodonës” është në Çamërinë e sotme. Ja, kaq e thjeshtë. Si lumi Kalama që është Akheronti i mirënjohur, apo Homeri që i shkroi kryeveprat e tij në anët tona, sepse atje lindi, atje i krijoi.
Po le të shkojmë më vonë, në mesjetë. Për betejën Fushë-Kosovës makina propagandistike serbe shkoi deri atje sa të përjashtonte fisnikët shqiptarë që udhëhoqën këtë betejë si si Balshajt, Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt, Shpatajt, Zenebishët.
Por, kulmin e gënjeshtrës e arritën që Millosh Kopiliqin nga fshati Kopiliq i Epërm i Drenicës, këtë trim që i mori erzin sulltanit, na e shesin si Milosh Obiliç me gjak serb.
Me këtë rrenë të madhe Sllobodan Millosheviçi nisi në vitin 1989 nga tubimi famëkeq i Fushë-Kosovës politikën e tij të spastrimit etnik që shkoi në hell ish-Jugosllavinë dhe mbi të gjitha masakroi shqiptarët e Kosovës.
Mund të vijoj pa fund me raste të manipulimit të historisë që nuk kanë kursyer as heroin tonë kombëtar, as doket, traditat, pasurinë tonë historike, arkeologjike, etnografike.
Fjala vjen, fustanella ilirike e shqiptarëve gegë e toskë, çfarë lidhje ka me rojën greke të nderit në Parlamentin e këtij vendi? Asnjë lidhje, por ata vazhdojnë si milingonat të punojnë për të marë ç’të mundin.
Grabisin çdo gjë… edhe djathin e bardhë të staneve shqiptare e kanë regjistruar si patentë të djathit feta. Merre me mend se ku janë këta fqinj që ne vazhdojmë e i marrim me të mira.
Sot, jemi mbledhur këtu për të paraqitur këtë vepër të jashtëzakonshme, këtë antidot të manipulimit historik. “Kongresi Antifashist Çam” i Hektor Sejkos rrëfen me fakte, dëshmi, fotografi, materiale dokumentare, korrespodenca se shqiptarët e Çamërisë, jo vetëm që kanë qenë të rreshtuar në bllokun antifashist, por kanë qenë të organizuar më së miri në formacione të rregullta të rezistencës antifashiste, madje në to ishin të përfshirë djemtë, vajzat të parët e dyerve më të mëdha të Çamërisë.
Ky libër i Hektor Sejkos, vetëm sa i bën me dije këto fakte kokëforta, të cilat padyshim nuk janë të reja, apo të panjohura. Në fakt, është detyrë patriotike t’i mbledhësh dhe t’i tregosht sot, kur Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar prej 70 e ca vjetësh, por ende mes dy vendeve ka një Ligj Lufte.
Ky libër shbën dhe e zhvlerëson gjyqin e montuar të Janinës të vitit 1946, ku janë dënuar pa qenë të pranishëm shqiptarët e Çamërisë si kolaboracionistë. Prej këtij gjyqi na dalin bashkëpunëtorë të pushtuesëve nazistë fëmijë dhe të mitur. Besoj se e keni lexuar librin e Nexhat Mërxhushit “Unë, 9-vjeçari, që “bashkëpunova” me nazifashistët”. Ma merr mendja se mjafton kjo dëshmi për ta kthyer qesharak atë gjyq që na e tund Kotzias si argument historik.
“Kongresi Antifashist Çam” i Hektor Sejkos na tregon se shqiptarët e Çamërisë nuk kanë qenë asnjë ditë bashkëpunëtorë të pushtuesëve nazi-fashistë, madje kanë lënë jetën heroikisht për të ndalur çizmen hitleriane në tokën e tyre dhe më gjerë.
Këtu, në këtë libër nuk ka patetizëm, romantizma, por fakte, dëshmi, të cilat nuk hanë diskutim, nuk vënë në dyshim se si kanë qëndruar të parët tanë dhe cila ka qenë zgjedhja që ata kanë bërë në ato kohë shumë të vështira.
Gjyshërit, prindërit tanë zgjodhën të ishin partizanë me pushkë në dorë ndaj pushtuesit, zgjodhën të ishin në aleancën perëndimore antifashiste, zgjodhën atë rrugë që kërkojmë të zgjedhim ne sot, pro që shpesh has në pengesa të pakalueshme prej keqeverisjes, por edhe sjelljes kokëulur ndaj fqinjëve që gatuajnë gjithë këto të liga.
“Kongresi Antifashist Çam” i Hektor Sejkos na shërben neve për të ripërsëritur historinë tonë dhe për të qenë krenarë për etërit tanë, aq krenarë sa ta çojmë amanetin e tyre për Çamërinë deri në fund.
“Kongresi Antifashist Çam” i Hektor Sejkos u shërben të rinjve që ta mësojnë siç duhet historinë e Shqipërisë.
“Kongresi Antifashist Çam” i Hektor Sejkos u shërben dhe diplomatëve të sotëm shqiptarë që të dinë se me kë dhe si ulen në bisedime, sepse nuk ka një shqiptar të vetëm të Çamërisë të ketë bashkëpunuar, ashtu si ka ndodhur me Napoleon Zervën apo me gjyshin e Nikos Kotzias.
Një të vetëm nuk e gjejnë dot, prandaj në tryezë e bisedimeve duhet t’i qëndrosh kokëlart e përballë grekut, jo kryeulët sikur ke bërë ndonjë faj.