Ish-deputeti Mark Frroku është liruar sot nga burgu. Gjykata e Fierit me një vendim të ditëve të fundit i ka falur kohën e mbetur të dënimit prej 1 viti, 5 muajsh e 5 ditësh, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Frrokut.
Frroku ishte dënuar me 7.6 vite burg për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Frrokut i kishin mbetur pa shlyer rreth 1.5 vite burg, të cilat konvertohen në shërbim prove duke e lënë atë të lirë.
Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje. Gjykata njohu pafajësinë e Mark Frrokut për këtë akuzë.
Ndërkohë javën e ardhshme në gjykatën e Tiranës pritet të nisë një tjetër proces ndaj Frrokut, atë ku së bashku me Tom Doshin dhe Durim Banin akuzohen për dëshmi të rremë për një atentat ndaj një deputeti të opozitës.