Fajin e ka Holanda.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një bashkëbisedim me përfaqësues të medias me rastin e “Ditës së Europës” ka kujtuar sistemin komunist kur në Shqipëri nuk kishte as drogë dhe as kriminelë.
Ai duke komentuar deklaratat e deputetëve holandezë të cilët thanë se Shqipëria nuk është gati për të hapur bisedimet me BE-në, kryeparlamentari deklaroi se prostitucionin dhe drogën nuk i shpikën shqiptarët, por i gjetën në Europë.
“Më quajnë nostalgjik. Ai sistem nuk kishte as drogë e as kriminelë. Ne bëmë zgjedhjen tonë, të rrëzonim diktaturën. Ose do bënim zgjedhjen tonë ose do pranonim këto fenomene. Nuk mund ta njollosin Shqipërinë një grusht kriminelësh në Holandë. Prostitucionin dhe drogën nuk i shpikën shqiptarët, por i gjetën në Europë. Kanabisi është një njollë e zezë për Shqipërinë, por fara a kanabisit dhe teknologjia vjen nga Holanda. Edhe tregu i shitjes së kanabisit është Holanda.”, tha Ruçi.