Dy persona kanë sulmuar postierin e Prokurorisë së Durrësit dhe i kanë marrë të gjitha dokumentet që kishte. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të paradites së sotme, ndërsa dyshohet se dokumentet e marra janë me mbishkrime sekrete, por që nuk dihet ende të çfarë rëndësie janë.
Informacioni paraprak i policisë:
Më datë 08.05.2018, rreth orës 10:30- 11:00, në lagjen Nr.11, në afërsi të Postës në Durrës, shtetasi I.K., me punë korrier pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë disa materiale që i kishte tërhequr nga Posta.
Nga ana jonë, po punohet intensivisht dhe po kryhen të gjitha veprimet e duhura hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin e autorëve, kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.