Deputetja demokrate Albana Vokshi, ka deklaruar sot se PD do depozitojë padi penale për mbledhjen e të dhënave personale nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Vokshi tha se mbledhja e të dhënave personale të pacientëve dhe prindërve të nxënësve, përfshirë NID bëhet për arsye zgjedhore.
“Nuk mund të merren të dhënat e prindërve e pacientëve pa pëlqimin. Ka vetëm një qëllim, mbledhja e të dhënave personale bëhet për arsye zgjedhore. Kryeministri ka vendosur të ngrejë bazën e të dhënave të zgjedhësve në kryeministri për t’i përdorur më pas”, deklaroi Vokshi.
Vokshi tha se padia do të nisë me kryeministrin dhe më pas me të gjithë ata që i kërkojnë këto të dhëna personale.
“Padia jonë do nisë nga Edi Rama, do përfshihen dhe dy ministrat përkatës dhe gjithë drejtuesit që kërkojnë”, deklaroi deputetja e PD.