Sonte në mbrëmje dorëzohet trofeu i parë për këtë edicion në Spanjë. Në Madrid në stadiumin “Wanda Metropolitano” duke nisur nga ora 21:30 luhet finalja e Kupës së Mbretit ku Sevilla sfidon Barcelonën.
Për andaluzianët fitimi i këtij trofeu do të ishte shpëtimi i një sezoni të tërë apo një Kupë ari siç e quajnë mediat spanjolle ndërsa për Barcelonën do të ishte si një Kupë bronzi pas dështimit në Champions. Tek Sevilla trajneri Vincenzo Montella i ka të gjithë lojtarët në dispozicion dhe duhet të zgjedhë më të mirët. Pritet formacioni tradicional ndërsa në majën e sulmit balotazhin e ka fituar Ben Yedder.Trajneri Montella kërkon ta fitojë Kupën por sqaron: “Messi është një jashtëtokësor dhe shpresoj që në këtë ndeshje të mos jetë në Tokë”.
Edhe trajneri Ernesto Valverde e ka skuadrën e plotë madje pjesa më e madhe e titullarëve janë mëse gati pasi nuk u aktivizuan në ndeshjen e së martës në kampionat. Pritet që në sulm së bashku me Messin e Suarez të luajë braziliani Coutinho. Për trajnerin Valverde katalanasit janë të detyruar të fitojnë trofe dhe nëse nuk arrijnë të ngrenë Kupën do të ishte një dështim.Për kompanitë e basteve Barcelona është superfavorite për të fituar Kupën e Mbretit.