Nga Cardiff në Torino, me destinacionin përfundimtar në Madrid. Juventusi dhe Real Madridi takohen përsëri, në një rivalitet që është legjendar në Kupën Europiane të së kaluarës dhe Champions-in aktual. Kemi të bëjmë me dy gjigandët e konkurrencës maksimale kontinentale për klubet, që ndajnë gëzimet dhe zhgënjimet pothuajse në mënyrë të barabartë. Natyrisht, beteja e fundit e finales së Ligës së Kampionëve është përplasja më e freskët.
Triumfoi pastër (4-1) Real Madridi, që mbrojti fronin e “mbretit të Europës” dhe mori kurorën e dytë radhazi të Champions-it, si asnjëherë më parë. Dhe, nëse dikush ka çelësin, që derën e Champions-it e mban të hapur për Real Madridin, ky është e Cristiano Ronaldo. Në “këpucët” e tij është kodi, numri i të cilit nuk ka sekrete, por mbahet vetëm me “madridista” 2-2-1-1-2-1-2-1.
Është rendi i golave, që ai ka shënuar rresht në tetë ndeshjet e luajtura në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Në total, 12 gola, që e bëjnë atë “armën e pagabueshme”, me të cilën Real Madridi po i shkatërron rivalët e tij. E fundit, që e pësoi, ishte PSG luksoze.
Real Madridi duket i qetë me yllin e vet, i cili bën të dridhet një Juventus tërë, i cili ende e mban mend dopietën që realizoi në finalen e Cardiff-it. Në fakt, Juventusi kujton se kurrë nuk i ka shpëtuar fuqisë së një golashënuesi si CR7, i cili tashmë u ka shënuar bardhezinjve dy herë në sezonin 2014-2015 dhe, po ashtu, në fazën e grupeve të sezonit 2013-2014. Një ekuilibër shkatërrues, që frikëson.
Më shumë, duke marrë parasysh gjendjen në të cilën është Cristiano Ronaldo, i cili kthehet për të udhëhequr Real Madridin, pasi ka pushuar në angazhimin e fundit të La Liga-s.
Real Madridi vjen në transfertën e Torinos pasi konfirmoi autoritetin e kampionit të Europës kundër PSG-së, një nga pretendentët kryesorë për ta fituar Champions-in. Edhe në ballafaqimin e dyfishtë me parizenët, në 1/8 finale të këtij kompeticioni, Ronaldo ishte vendimtar me tre gola.
Tani, “Los Blancos” do të luajnë me Juventusin, një tjetër kockë e fortë, me karikimin maksimal për hakmarrje ndaj finales së edicionit të kaluar. Bardhezinjtë janë ata, që sezonin e kaluar tronditën Barcelonën në Torino.
Kanë një grup solid, të pakonkurrueshëm në Seria A, ndërsa kanë shijuar finalen e Champions-it dy herë brenda katër viteve të fundit. Ama, nuk kanë në përbërje një “makinë vrastare” si Cristiano Ronaldo. Ky i fundit e ka çelësin e Ligës së Kampionëve, sepse ka numrat magjikë, që pushtojnë Europën.