Nëse kompania që ka marrë uzinën e Armos më datë 15 mars nuk nis nga puna sipas kushteve të kontrates, naftëtarët e Ballshit do të nisin protestat, të cilat do finalizohen në Tiranë.
Ky fakt është konfirmuar nga kreu i KSSH Kolë Nikolla gjatë një takimi që zhvilloi këtë të hënë me një përfaqësi të naftëtarëvë të ARMOS.
Nikollaj kërkoi shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për 1200 punonjësit e kësaj kompanie.
Ai vlerësoi qëndrimin e Lulzim Bashes, kreut të PD, i cili e quajti një gabim privatizimin e ARMOS nga qeveria Berisha.
Ndërkohë nëse Kuvendi nuk miraton statusin e minatiorit edhe kjo kategori së shpejti do nisë një valë protestash për miratimin e statusit.
Janë 8 mijë minatorë që presin nga politika të mos e zvarrisë çështjen e tyre.
Pjesë nga fjala e Nikollës
Konfederata e Sindikatave gjate kësaj periudhe u gjetur pranë 1200 naftëtarëve të Ballshit, për të cilët kompania Armo dhe qeveria Shqiptare ende nuk kanë dhënë zgjedhjen e duhur por vetëm zgjidhje të kushtëzuar që nuk përkon me interesat e naftëtarëve. Në emër të Konfederatës së Sindikatës dhe naftëtarëve të Ballshit i bëj thirrje qeverisë shqiptare që nëse nuk i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së pagave të prapambetura të naftëtarëve dhe nuk rifillon puna në uzinën e Ballshit deri në datën 15 mars, atëherë ata do përballen me protesta masive që nuk do të ndalen deri në zgjidhjen përfundimtarë të këtij problemi. Qeveria Shqiptare dhe ARMO kanë tre ditë kohë për të ardhur dhe negociuar me naftëtarët ndërsa në përfundim të këtij afati do vijojmë punën tonë për organizimin e protestave që do fillojnë në Fier e më pas në Tiranë. Kjo situatë është e patolerueshme dhe këtyre 1200 naftëtarëve duhet tu jepet një zgjidhje, pasi dua t’ju kujtoj se pas tyre janë 1200 familje që po përballen më vështirësi ekonomike, në një vend si Shqipëria ku gjetja e një vendi punë është problemi më i madh. Duke mbetur në këtë teme përgëzoj liderin e partisë Demokratike Lulzim Bashën që i cilësoi si të gabuar vendimin e qeverisë Berisha për privatizimin e Armos. Ndërkohë veç naftëtarëve në emër të Konfederatës së Sindikatave dhe Minatorëve të të gjithë Shqipërisë i bëj thirrje qeverisë shqiptare të miratojë urgjentisht statusin e minatorit. Projektligji është në kuvend dhe duke parë se edhe opozita ka shprehur gatishmërinë për këtë çështje i kërkoi kryeministrit Edi Rama të mos e zvarrisë më çështjen e miratimit të statusit të minatorit. Ashtu si për çështjen e pagave të naftëtarëve edhe për statusin minatorit Konfederata e Sindikatave së bashku me minatorët do nisë protestat deri në finalizimin e miratimit të statusit. Dua ti kujtoj opinionit publik se janë 8 mijë minatorë që do përfitojnë nga miratimi i statusit të minatorit.