Jeta artistike dhe institucionet e artit kanë jo pak probleme. Vetë lufta e artistëve është në mbrojtje të artit. Artistë të njohur gjatë kësaj kohe janë shprehur për problemet me teatrin dhe jetën artistike dhe sipas aktorit të njohur Naun Shundi, shteti ka bërë gafë që i detyroi artistët të ngrenë zërin. Në një intervistë për “SOT”, Naun Shundi i njohur në aktivitetin e tij dhe si regjisor e dramaturg në teatër, shprehet se nuk kemi një ministri që të mbulojë artin. Sipas tij, kjo nuk është e rastësishme, por e qëllimshme, dhe ka të bëjë me masën e vlerësimit. Shundi shprehet se artistët janë shumë herë më të besueshëm dhe zëri i tyre dëgjohet shumë më tepër se i politikanëve. Kritika, artisti ka dhe për mungesën e transparencës apo dhe çfarë po ndodh me ligjin e ri të artit. Sipas tij, kur bie fjala për interesa madhore dhe të përbashkëta artistët duhet të lënë mënjanë ndasitë, sherret me njëri- tjetrin dhe të bashkohen në problemet që shqetësojnë të gjithë.
-Jeni aktor me vite jetë artistike në skenën e Tetarit Kombëtar, regjisor dhe dramaturg. Ka kohë që ka akuza të shumta të artistëve në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Qëndrimi juaj në lidhje me këto akuza, cili është?
Jam i bindur që shumica e artistëve nuk kanë dashur kurrë të merren me politikë, por kur ajo ndërhyn tek ne, jemi edhe ne të detyruar të merremi me politikë dhe me politikanët. Impresioni im në këtë periudhë kohe, është si ai që kam pasur në kohën e diktaturës, kur gjithë Shqipëria po ngordhte për bukë dhe partia na thoshte: “Kujdes! Nuk duhet të deheni nga sukseset!”. Ne si artistë jemi në pikë të hallit, ndërkohë që vazhdimisht flitet për suksese të mëdha për të cilat ne nuk dimë gjë. Dëgjojmë vetëm fjalime duke filluar që nga fusha e artit, ekonomisë, etj., fjalime të cilat rreken të na ngrenë moralin dhe të na bëjnë optimistë për të ardhmen. Pyetja që unë shtroj në lidhje me teatrin dhe artin në përgjithësi është: “Cila ministri mbulon artin në republikën e Shqipërisë?”. Dhe më lejoni që po vetë të përgjigjem: “Ne nuk kemi ministri arti. Kemi vetëm ministri kulture, ministri e cila nuk di sa dhe si i mbulon problemet e artit tek ne.” Fakti që ne nuk kemi ministri arti, nuk mendoj që është lapsus. Nuk mendoj që kjo është gjë e rastësishme, por e qëllimshme, dhe ka të bëjë me masën e vlerësimit. Sa i takon lëvizjeve të fundit, deri sa artistët u ngritën në protestë dhe bënë atë lloj gurguleje, tregon se ka vajtuar puna atje ku nuk mban më. Unë do t’i bëja thirrja në këtë rast shtetit dhe Ministrisë së Kulturës të kenë më shumë vëmendje ndaj artit. Kur dëgjoj herë pas here fjalimet e politikanëve apo ministres Kumbaro që kanë lidhje me artin vë në pikëpyetje inteligjencën time. Mendoj: “Këta që flasin, kaq budallenj na dinë ne artistëve, sa ne të mos arrijmë të deshifrojmë ku e kanë hallin dhe qëllimin?” Mos na konsideroni kaq budallenj ne artistët; që të jem i sinqertë, në fakt edhe jemi, por jo aq sa na pandehni. Për gurgulenë që përmenda pak më parë, jam i bindur që shteti në këtë rast ka bërë një gafë të madhe që i detyroi artistët të ngrenë zërin. Unë njoh shumë pak njerëz që mund të kenë respekt për pushtetarët tanë. Dhe sa më tepër kohë kalon aq më tepër populli nuk ka respekt për politikanët dhe shtetin e tij, sepse po ia shikon “hajrin” atyre. Por për artistët të gjithë kanë respekt, sepse ata nuk nisen nga interesa krejtësisht personale, partiake ose klanore. Lufta e tyre është në mbrojte të artit. Rrjedhimisht që janë shumë herë më të besueshëm dhe zëri i tyre dëgjohet shumë më tepër se zëri i të gjithë politikanëve të marrë sëbashku. Është mungesë mençurie nga ana e shtetit që të përballet me artistët. Një zë si Robert Ndrenika apo Bujar Asqeriu përmbysin qeveri. Janë personalitete që i njohin dhe i duan (i besojnë), ndërsa politikanët tanë si beson njeri.
-Godina e Teatrit Kombëtar është nga më të diskutuarat, çfarë mund të na thoni?
Unë nuk kam informacion të saktë, deri tani janë hamendësime. Por mua më shqetëson fakti që akoma nuk kemi një projekt të saktë. U nxitua të bëhej “Turbina”, që nuk përmbush parametrat e një teatri kombëtar, por e vlerësoj se ka dy salla dhe i shërbejnë kryeqytetit. Lind pyetja: “Nëse ministria, bashkia apo shteti nuk ka projekt apo fonde, pse nxiton të shpërngulë Teatrin Kombëtar tek “Turbina”?”. Pasi filloi protesta e artistëve, atëherë me sa duket ministrja u mendua dhe vendosi të tërhiqet në një lloj mënyre. Kam dëgjuar shprehje që artistët u tërhoqën, ranë dakord, por kjo nuk është e vërtetë;u tërhoq shteti kur ngritën zërin artistët. Deri tani është thënë që Teatri Kombëtar do të administrojë tre salla: atë aktuale, dhe dy te “Turbina”. Deri këtu jemi në rregull. Ku ta gjejmë që TK të ketë tre salla! Problemi qëndron tek fondet, sepse nëse buxheti i ministrisë do të jetë i njëjtë me atë që ka sot TK, atëherë çfarë na duhen dhe dy salla të tjera shtesë kur ne nuk kemi para për aktivitetin artistik? Me çfarë do t’i vënë në skenë regjisorët shfaqjet e tyre te teatri “Turbina”? Me çfarë fondesh? Sa do të jenë këto fonde? Kjo nuk na është thënë akoma. Me këto buxhete qesharake që ne kemi vetëm për një sallë, mezi ia del TK. Ku do t’i gjejë partë dhe për të bërë shfaqje te dy salla të tjera? Përsa i përket gjendjes aktuale të godinës së TK, unë dhe kolegët e minuk mund të përjashtojmë dot nostalgjinë që kemi për atë godinë. Me keqardhje e them, se qeveritë e njëpasnjëshme, me neglizhencën dhe mosvëmendjen e tyre, e kanë katandisur këtë godinë në një gjendje të mjeruar dhe domosdoshmërisht ajo nuk mund të shërbejë më si një tempull me te cilën ne mund të mburremi dhe krenohemi. Po me keqardhje shpreh mendimin tim që kjo godinë duhet shembur dhe në vend të saj, në të njëjtin territor, me të njëjtët metër katrorë, pa pallate shumëkatëshe përbri dhe sipër saj, të ndërtohej një godinë e re teatrore me parametra bashkëkohorë. Gjithmonë insistoj në faktin që të pyetet dhe të merret mendim nga komuniteti teatror, pavarësisht se ne nuk jemi arkitektë. Nisur nga përvoja e “Turbinës”, është e qartë që arkitektët nuk kanë të qartë prioritetet që duhet të ketë një skenë dhe sallë teatri. Na kanë bërë te “Turbina” me dhjetëra banjo dhe nuk ka kabina për aktorët. Na kanë bërë dushe dhe nuk kemi atelier për dekoret.
-Artistët e presin ministren e Kulturës në teatër për të diskutuar për projektin. Deri tani kjo është refuzuar. Cili është gjykimi juaj?
Kjo është si ndeshje futbolli që luhet me dy takime, një në fushë kundërshtare dhe një në fushën tonë. Ne si artistë deri tani kemi luajtur në fushë kundërshtare. Po presim ndeshjen e kthimit, pra të vijë ministria në teatër. Takimi me artistët duhet të kishte filluar në Teatrin Kombëtar. Por mbase me insistimin e ministrisë, ata u treguan qytetarë që pranuan të shkojnë atje për të dialoguar me ministren Kumbaro, e cila deri tani ka treguar se nuk i vlerëson sa duhet artistët.
-Një nga akuzat e artistëve që vijon të thuhet me forcë është mungesa e transparencës nga Ministria e Kulturës për gjithçka po ndodh.
Unë i jap të drejtë zonjës ministre kur thotë se nuk ka mungesë transparence, sepse mungesa është kur ke një gjë dhe e fsheh, por pa pasur projekt ajo nuk ka çfarë fsheh. Kur nuk ka projekt konkret për teatrin nuk ka çfarë të fshehë, por nëse ka projekt unë i them pse nuk e bën transparent? Këtu kemi mungesë fakti, mungesë totale të të bërit të gjërave. Pra transparenca në këtë rast është fjalë luksi. Nuk shkon nëse nuk ke projekt. Me ç’duket, mungesa e projektit, mungesa e fondeve dhe lodhja nga të marrurit me artistë grindavecë, shamataxhinj dhe që janë gati të të nxjerrin bojën në çdo moment, e detyroi zonjën ministre t’ia kalojë topin Veliajt.
-Në vijim të problemeve janë dhe artistët e Cirkut Kombëtar që po kundërshtojnë fort shfuqizimin e tyre si cirk kombëtar…
Vijmë sërish te buxhetet. Ministria nuk ka buxhete për të mbajtur dhe Cirkun Kombëtar se ndryshe nuk ka pse e heq nga varësia e saj. Unë kam ndjekur në media disa prononcime të artistëve të cirkut dhe jam dakord me ta, dhe në këtë lojë politike që përfshin artet mua më shqetëson jo ajo që thuhet për “tërheqjen” e artistëve nga kërkesat e tyre, se sa fakti që të tërë nuk janë në unison me njëri- tjetrin. Kur bie fjala për interesa madhore dhe të përbashkëta unë i bëj thirrje që të lënë mënjanë ndasitë , sherret me njëri tjetrin dhe bashkohen në këtë problem që na shqetëson të gjithëve. Vetëm duke qenë të gjithë bashkë, zëri ynë do të dëgjohet shumë më fort, pavarësisht se jemi akoma artistë pa status artisti.
-Çfarë po ndodh me mungesën e statusit? Statusi i artistit ka qenë një nga premtimet e ministres Kumbaro?
Unë s’e di cilët janë ata burokratë që merren me hartimin e ligjeve që nuk zbatohen. Nga eksperienca ime, ligjet fillimisht janë bërë dhe pastaj na i kanë sjellë në teatër për të na kërkuar mendim. Gjithmonë kemi dhënë mendime, por ligjet janë aprovuar sikur ne të mos kishim thënë asgjë. Më vjen keq që dyshoj se edhe këtë rradhë kjo që bën ministria me statusin dhe ligjin për teatrin do të jetë një farsë si gjithë të tjerat dhe si zakonisht do të thuhet që ne, pra ministria, e mori dhe mendimin e komuniteti artistik.
-U bënë disa javë që është kjo situatë me akuza ndaj ministrisë si përgjegjëse për artin dhe kulturën. Keni një apel për ministren e Kulturës?
Ministrja Kumbaro do të kujtohet me respekt në të ardhmen (kur të mos jetë më në këtë post) nëse i ka shërbyer me respekt dhe përkushtim artit. Por nëse i ka shërbyer interesave klanore qeveritare, atëherë edhe nëse do të kujtohet si ministre, do të kujtohet si ministre e parespektuar. Duke shpresuar që ministrja Kumbaro është një grua e mençur, shpresoj gjithashtu që ajo do të anojë nga interesat e artistëve dhe jo nga ato klanore dhe ekonomike. Megjithëse deri tani, zonja ministre nuk ka treguar vëmendjen dhe përkushtimin e duhur për problemet e artit, nuk i ka ardhur aq sa duhet në ndihmë artistëve dhe artit, edhe pse nuk është ministre e artit, unë jam shpresëplotë se ajo duhet dhe do ta dëgjojë zërin tonë, të bashkohet me ne në mënyrë që ne ta duam, ta nderojmë dhe ta vlerësojmë për kontributet e saj edhe pse nuk është ministre e artit.