Përgjigja e homologut grek Kotzias: Greqia nuk është në luftë me Shqipërinë. Ne jemi vende aleate të NATO-s
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, u takua sot me presidentin e Greqisë, Prokopis Pavlopulos, si dhe me ministrin e Jashtëm grek, Nikolas Kotzias. Në takim me presidentin grek, ministri Bushati foli për ekzistencën e ligjit të luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e cilësuar si një paradoks pasi dy vendet janë anëtarë të NATO-s. Bushati i ka kërkuar presidentit që Greqia të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një relike e së kaluarës. Bushati është shprehur gjithashtu se heqja e ligjit të luftës do të krijojë mundësi për zgjidhjene problemeve mes dy vendeve.
“jam shpresëplotë që me palën greke do të avancojmë me abrogimin e ligjit të luftës, për të na dhënë mundësinë që të mbyllim kështu çështjet e kapitujve historikë, të Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë takimit Prokopis Pavlopulos, ka deklaruar se Greqia kërkon të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët dhe me Shqipërinë.
Ai u shpreh se Greqia e ka dëshmuar këtë në periudhën e anëtarësimit në NATO, por edhe për faktin se Greqia është në favor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Natyrisht me kusht që Shqipëria të respektojë rregullat e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës europine”, shkruan Amna.gr.
Ndërsa ministri i Jashtëm grek Nikolas Kotzias tha: “Greqia nuk është në luftë me Shqipërinë. Ne jemi vende aleate të NATO-s“. Kotzias tha se çështjet bilaterale do të zgjidhen sipas ligjeve ndërkombëtare dhe kulturës europiane.
Një tjetër çështje e trajtuar mes tyre ishte dhe ajo e krizës së emigrantëve. Në kuadër të kërkesës për solidaritet për krizën e emigrantëve Presidenti grek kërkoi “që Shqipëria të mos tregojë ksenofobinë që kanë treguar disa shtete europiane dhe shtete fqinje këtu në Ballkanin Perëndimor” Madje u kujtoi dhe se Greqia ka strehuar mijëra emigrantë.
Ministri Bushati premtoi solidaritetin e Shqipërisë dhe është shprehur se “ksenofobia është diçka që nuk na përket”. “Ne do të nderojmë të gjitha vlerat europiane dhe do të japim kontributin tonë në BE për zgjidhjen e problemit të refugjatëve” informon ERT.