Përgjatë periudhës së antikitetit, kur qytetet kryesore të Evropës vuanin nga derdhja e ujërave të zeza në rrugë dhe bashkë me to përhapjen e epidemive, qyteti i Durrësit ishte i pajisur me kanale higjeno-sanitare.
Sipas arkeologut Fatos Tartari, pjesa më e madhe e kanaleve të zbuluara rreth qendrës së qytetit antik, i përkasin të njëjtit rrjet. Ato hasen që pranë Lulishtes së Mauzoleumit të Dëshmorëve, e deri tek termat pas teatrit “Aleksandër Moisiu”. Mendohet se nëpërmjet një kanali kryesor, që ishte kolektori që pasi i mblidhte shkarkimet e lagjeve fushore, i depozitonte ato në det në mënyrë të pavarur.
Por megjithëse jemi në shek. XXI, duket se nuk ka ndryshuar shumë mënyra e menaxhimit të ujërave të zeza në qytet. Citizens Channel ka kryer një monitorim në bregdetin e Durrësit, në muajt shtator 2017 – janar 2018, konkretisht në pikat: Plazhi Rinia – Porto-Romano – Kallm – Currila – Vollga – plazh Durrës – Shkëmbi i Kavajës, si edhe zona e ish-Kënetës, Spitallë, përfshirë lagjet qendrës së qytetit.
Kështu qyteti i Durrësit duke nisur që nga qendra e tij, e deri në periferi, ka probleme me sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Siç pohoet nga Ujësjellës Kanalizime Durrës, arsyeja kryesore është mungesa e investimeve ndër vite, e cila nuk ka qenë në raport me shtimin e numrit të popullsisë.
Si pasojë, pas reshjeve të shiut në qytet shpesh uëjrat e zeza dalin në sipërfaqe nga mungesa e kanalizimeve të ndara për ujërat e shiut dhe ato të zeza.
Ndërsa në periferi mungesa e kanalizimeve ka sjellë përdorimin e kanaleve bujqësore të ndërtuara përpara viteve’ 90, që shkrakohen në bregdetin e Durrësit. Kjo gjendje është larg asaj që parashikon ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku në nenin 67, shkruhet se „në brigje, plazhe dhe në zonat e vërshimit ndalohet shkarkimi i ujërave të ndotura urbane e industriale të patrajtuara”.
Megjithatë projekti më i rëndësishëm që po i jep zgjidhje pak nga pak situatës, është marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, që ka ofruar një kredi me vlerë 85 milion dollarë, ku përfshihen edhe investime për rrjetin e ujit të pijshëm.
Sipas draftit të Planit të ri Rregullues të Territorit për qytetin e Durrësit, rezulton se ka “prioritet të lartë” zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve kryesisht në lagjet 1 dhe 18, ndërsa lagjet e tjera kanë gjithashtu nevojë për tu rinovuar. Ndërsa zonat periferike, si ish-Këneta, Spitalla, Porto-Romano etj., kanë “prioritet të lartë” përmirësimi dhe zgjerimi të rrjetit të kanalizimeve.
Simboli i turizmit, i pushtuar nga ujërat e zeza
Në muajin shtator të vitit që lamë pas, në fillim të shëtitores “Taulantia”, në vijim të projektit ‘Veliera’, u kryen punime për hapjen e një kanali që do të shërbente si kolektor shkarkues i ujërave.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) u informua për punimet nga Citizens Channel dhe pas verifikimit të rastit, na njoftoi se “gojarisht ishte informuar nga Bashkia Durrës se investimi po kryhej nga ajo dhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (UKD) dhe se kolektori do të shkarkonte ujërat e shiut”.
https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/1829572687346485/
Për këtë tubacion me gjatësi rreth 120 metra linear, UKD pohon se ai do të shërbejë për shkarkimin e ujërave të shiut. Por nga monitorimi disa mujor, na rezultoi se me datë 25 dhjetor 2017, ky tubacion funksiononte megjithëse nuk kishte reshje shiu dhe dukej se shkarkonte ujëra të zeza.
Në përgjigjen e Agjencisë së Basenit Ujor Ishëm-Erzen, na bëhet me dije se, “nuk disponohet leje për këtë derdhje të re në bregdetin e Vollgës”. Më tej çështja i dërgohet për kompetencë Inspektoriatit të Ujërave dhe i lihet porosi që të kthej përgjigje edhe për pikat e tjera ku shkarkohen ujëra të zeza, që konstatuam.
Inspektoriati me “duar të lidhura”!
Por duket se nuk do të ketë marrje masash edhe për disa muaj, pasi ne ju drejtuam në muajin nëntor 2017 Inspektoriatit Shtetëror të Ujërave, dega Durrës, ku mësuam se puna e tij është pezulluar për shkak të një urdhëri për riorganizimin e institucionit.
Ky tubacion i ri me derdhje në det është vijimi i ndotjes së vijës bregdetare nga vetë institucionet shtetërore. Prej vitesh, pak më lart shkarkon ujërat e zeza të pa përpunuara dhe pa ndërprerje përgjatë 24 orëve, një tubacion me dalje nga Stacioni i Pompimit nr. 8, i Ujësjellës Kanalizime Durrës.
“Edhe pretendimi se tubi i ri derdh ujëra (të ndotur) qëndron, pasi ka shumë vite që është bërë investimi dhe popullsia është rritur, ndërkohë që dimensioni i tubave përcjellës ka qenë po i njëjtë. Prandaj po ndërtohet rrjeti i ri që të bëjë diferencimin për ujërat e shiut dhe të zeza. Ka afat 16 muaj punime dhe aktualisht janë realizuar 4 muaj”, tha për Citizens Channel inxhinieri i UKD-së për kanalizimet, Bledar Metalla.
Nga vëzhgimi i ynë rezulton se një pjesë e bizneseve përgjatë shëtitores së Vollgës i derdhin ujërat e ndotur në det.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2015, “masë për përmirësim” ishte lënë shkarkimi i tubacionit të UKD-së dhe shkarkimi i ujërave të zeza dhe të ndotura urbane nga lokalet e shërbimit në mjedisin detar tek kjo zonë.
Duket se UKD-së ju deshën 3 vite për të marrë masa për përmirësimin e situatës. Inxhinieri Metalla na bën me dije se me anë të një investimi prej rreth 4.7 milion euro, po ndërhyet në pjesën e qytetit, ku përfshihet edhe segmenti Currila – Vollga, e në vazhdim.
Citizens Channel ka kryer një vëzhgim edhe të kanalizimeve të ujërave të zeza brenda qytetit, ku rezulton se ato shpesh herë dalin në sipërfaqe si pasojë e reshjeve te shiut dhe aroma ndihet lehtësisht. Sipas Metallës qyteti ka një sistem miks kanalizimesh dhe ujërat e shiut përzihen me të zezat.
Në sektorin e peshkimit, brenda Portit të Durrësit, që nuk është në administrimin e Autoritetit Portual Durrës (APD), nga vëzhgimi ynë më datë 13 shtator 2017, identifikuam një kanal që shkarkonte ujëra të ndotur.
Autoriteti Portual Durrës na u përgjigj se nuk kishte dijeni për këtë kanal dhe çfarë ujërash shkarkon ai, por megjithatë sipas APD-së po merren masat e nevojshme për verifikimin e mëtejshëm dhe në rast konstatimi të pretendimit tonë, do të punohet për zgjidhjen e problemit, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të cilat kanë juridiksion për të operuar në këtë zonë.
Ndotja e plazhit dhe ndikimi tek turizmi
“Ujërat e zeza janë sabotatori më i madh i turizmit. Që të derdhi një qytet ujërat e zeza në det, është e kotë të flasi për turizëm, kur ai rrezikon shëndetin e qindra njerëzve”, thotë eksperti i mjedisit, Xhemal Mato.
Kanali i shkarkimit të ujërave rurale në Plepa, pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës, grumbullon ujërat urbane të gjithë zonës rurale të Rrashbullit dhe të ndërtesave të ndërtuara pas shinave të trenit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, zona e kanalit në Plepa, rezulton se në vitin 2017 ka cilësi shumë të keqe krahasuar me vitin paraardhës.
Pyetur për këtë, inxhinieri i UKD-së, Bledar Metalla, tha se, “problemi qëndron tek fshatrat në periferi të qytetit që shkarkojnë ujërat e zeza në këtë kanal”.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2015, rezulon se për këtë kanal Ujësjellës Kanalizimeve Durrës i ishte lënë si masë për tu përmirësuar vendosja e depuratorit për pastrimin e ujërave të ndotura urbane, para se ato të shkarkohen në det, të paktën gjatë sezonit veror.
Nga vëzhgimi ynë më datë 8 tetor 2017, nuk u evidentua prania e ndonjë depuratori, që të filtronte këto ujëra të ndotur. Pranë kanalit të ujërave të zeza kalon edhe një tubacion për furnizimin me ujë të pijshëm, një pjesë e të cilit ishte mbuluar nga mbeturinat urbane. Kjo zonë, ashtu si edhe ajo e “ Vollgës” dhe Currilave, përdoren për peshkim.
“Kam 20 vite që investoj në këtë biznes. Vit për vit, në të gjitha takimet që bëjmë, si me pushtetin vendor edhe atë qendror, që të gjitha kanë mbetur vetëm në kuadrin e fjalëve. Kemi dy vite që po punojmë shumë me turistë të huaj. Kemi mungesë të ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve”, na thotë një prej administratorëve të një biznesi turistik në zonë.
Megjithë investimin e Ujësjellës Kanalizmeve Durrës në zonën e Plazhit, nga monitorimi i ynë në muajin tetor të vitit që lamë pas, rezultoi se përgjatë bregdetit ka ende tubacione që shkarkojnë ujëra në det. Në disa prej tyre u konstatua prania e pusetave me ujëra të ndotur, ndërsa më datë 2 dhjetor 2017, konstatuam së këto kanale shkarkonin ende, por vetëm në raste kur kishte reshje shiu. Kjo nuk e përjashton mundësinë e përzierjes me ujëra të ndotur që mund të vijnë si pasojë e shkarkimeve të paligjshme të ujërave të zeza në kanalizmet e ujërave të shiut që kalojnë mbi kodër.
Citizens Channel gjatë monitorimit të vijës bregdetare (Sektori) Plazhi Rinia (shtator 2017) dhe plazhi i Kallmit (dhjetor 2017), konstatoi mungesë kanalizimesh dhe derdhje të ujërave të ndotur në det. Kjo ndodh kryesisht përgjatë stinës së verës, kur këto subjekte edhe operojnë.
Por Plazhi Rinia kërkon një trajtim edhe më të kujdesshëm, pasi aty gjendet një ligatinë që shërben si vend riprodhimi për shpendët shtegtar ujor.
“Ne do të bëjmë një master plan dhe do të shohim se si do ta zgjidhim, pra nëse duhet të ndërtojmë disa stacione përpunimi që ta dërgojnë tek stacioni qëndror apo të ndërtojmë një mini-stacion”, na informon inxhinieri Bledar Metalla.
Aktualisht qeveria shqiptare po investon në zonën turistike të Gjirit të Lalzit. Projekti me vlerë rreth 13 milion euro ka të bëjë me ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza dhe Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Përdorura në zonën turistike.
Për ekspertin e mjedisit, Xhemal Mato, “një nga mënyrat që mund të zhvillohet mirë trajtimi i ujërave të zeza në zonat rurale, që nuk kanë mundësi për investime të mëdha, është ndërtimi i ligatinave që arrijnë t’i pastrojnë ujërat e zeza në mënyrë biologjike”.
Kjo ka funksionuar sipas Matos në një projekt pilot që ata kanë kryer për ndërtimin e ligatinave, me synim reduktimin e ushqyesve që derdhen të patrajtuar në Lumin e Tiranës.
Ndërsa Olsi Nika nga “Eco Albania”, sjell edhe një dimension tjetër të përdorimit të ujërave të zeza, kur thotë se, “kemi rastin e qytetit të Zyrihut (Zürich) në Zvicër, që deri në 15 % të ujit që marrin nga rubineti për të pirë, e marrin nga cikli i trajtimit të ujërave të zeza”.
A bëhen matje të nivelit të ndotjes?
Pas një kërkese për informacion drejtuar Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor Durrës, mësuam se institucionet nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë paraqitur asnjë ekspertizë për faktorët që mund të influencojnë në shëndetin publik lidhur me derdhjen e ujërave të zeza në bregdetin e Adriatikut.
Ndërkohë sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), në plazhin “Zhiron”, në zonën e Currilave në qytetin e Durrësit, ka pasur një përkeqësim të cilësisë së ujit të detit në vitin 2017, duke kaluar nga “cilësi shumë e mirë” në vitin 2016-të, në “cilësi shumë të keqe”.
Për vitin 2017-të treguesi i FC (Eshterica coli) rezultoni në vlerën 180, ndërsa treguesi IE (Enterococu Intestinal), rezultoi në vlerën 212, ndërkohë që sipas normës duhej të ishte më e vogël se 100. Kjo është një zonë që përdoret gjerësisht nga qytetarët durrsakë për tu larë.
Qytetarët nuk janë të informuar mbi rrezikun e larjes në këto ujëra, në mungesë edhe të tabelave që duhej të ishin vendosur nga pushteti vendor.
Rreziku nga ndotja
“Prandaj edhe pjesa Ishëm-Durrës, sipas raporteve ndër vite të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, nuk rekomandohet për plazh sepse cilësia e ujërave është shumë e keqe, ndërkohë që sipas direktivës së BE-së duhej të ishte e mirë”, shprehet Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i “Eco Albania”.
Lidhur me efektet e kësaj ndotjeje, Nika shtoi se ajo “prish ekuilibrat e funksionimit të një ekosistemi në mënyrë natyrore, që do të thotë se rritet shkalla e ngarkesës mikrobike, por edhe sikur ujërat të jenë vetëm me shkumë, jo toksike dhe jo helmuese, vetëm nga ndryshimi i presionit sipërfaqësor të ujit, gjallesat nuk mund të jetojnë më aty”.
Trekëndëshi “Periferi – Kanalet e ujërave të zeza – Deti Adriatik
Në shkurt të vitit 2016, bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (IBZH), në Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”, shkruanin se “kanalet bujqësore ujitëse dhe kulluese, sidomos në zonat informale dhe përgjatë rrugës Durrës – Rrashbull, përdoren shpesh për ujërat e zeza. Ato nuk mirëmbahen, bllokohen nga mbeturinat dhe shpesh ndërpriten nga ndërtimet e paligjshme.
Ndërsa sipas “Programit të zonës funksionale bashkia e re Durrës”, përgatitur nga IBZH, pjesa e familjeve të lidhura me rrjetet e ujërave të zeza është mesatarisht 52 % në qytet, ndërsa në zonat rurale nuk ka rrjet kanalizimi.
“Ka rreth 20 vite që jam këtu dhe kanali është po në atë gjendje. Fëmijët tanë janë me fëmijë të vegjël, po na sëmureshin përditë dhe ikën jashtë shtetit”, thotë një banor i moshuar i zonës së ish-Kënetës.
Ai banon pranë stacionit që pompon ujërat e zeza drejti impiantit të trajtimit dhe thotë se me pak investime mund të lidhen me Impiantin e Përpunimit të Ujërave të Ndotur edhe kanalizimet (aktualisht jo funksionale) e lagjes së tij.
Por inxhinieri i kanalizimeve pranë UKD-së, Bledar Metalla, thotë se, “aktualisht aty banorët operojnë me gropa septike, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve dhe po hartohet një plan se si mund të zhvillohet rrjeti i kanalizimeve në atë zonë sepse nuk është një investim vetëm për një lagje, por për të gjithë zonën”.
Nga monitorimi i Citizens Channel, më datë 18 nëntor 2017, rezultoi se stacioni i pompimit që ndodhet në zonën e ish-Kënetës dhe që dërgon ujërat e zeza në Impiantin e Përpunimit, ndonjëherë hap një portë shkarkuese, që nëpërmjet kanalit përfundon në detin Adriatik.
“Aktualisht në këtë zonë ka një kanal të ujërave të shiut që shkarkon në kanal dhe kur ka shi me intensitet të lartë, shkarkohen ujërat e shiut së bashku me ato të zeza. Me investimin e ri që po bëhet, do të zgjidhet”, shprehet Metalla.
Ai shton se edhe zona e Spitallës dhe e Porto-Romanos nuk ka rrjet kanalizimi dhe se duhet një fond shumë i madh, ku edhe do të shihet nëse i përballon Impianti i Përpunimit të Ujërave të Ndotur apo duhet zgjeruar.
“Ky kanali nuk pastrohet asnjëherë dhe përmban infeksione. Unë kam kalamaj vetë dhe i kam pasur gjithmonë me sëmundje mushkërish, me frymëmarrje, sëmundje lëkure dhe nga më të ndryshmet”, u shpreh një 40-vjeçar, banor i zonës së Spitallës. Ai shton se edhe kompanitë private që operojnë në zonë derdhin ujëra të ndotur në kanal.
Në zonën e Porto-Romanos vijon kanali që nis që nga Spitalla dhe mbledh ujërat e zeza të lagjeve, duke i shkarkuar në bregdetin e Porto-Romanos, ku shkarkohen nëpërmjet hidrovorit edhe një pjesë e ujërave të zeza të zonës së ish-Kënetës.
“Problemi tek ne është përmbytja nga kanali kur bien shirat e jashtëzakonshëm. Izolohemi se nuk mund të kalojmë rrugët”, thotë e revoltuar një prej banoreve të zonës së Porto-Romanos.
Nga monitorimi i ynë, në muajin nëntor 2017 dhe nga dëshimtë e banorëve, si pasojë e mungesës së një tubacioni qendror për ujin e pijshëm në zonën e Porto-Romanos dhe ish-Kënetës, rezultoi se ata detyrohen ta marrin ujin e pijshëm me tuba plastikë që qendrojnë mbi sipërfaqe dhe shpesh kalojnë mbi kanalin e ujërave të zeza.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2015, masë për Ujësjellës Kanalizime Durrës ishte ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të mbyllura të ujërave të zeza në zonën e ish-Kënetës dhe dërgimi i tyre në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotur.
Por muajt e fundit bashkia Durrës ka nisur pastrimin e kanalit kullues në zonën e Porto-Romanos. “Kanali po pastrohet me mjetet e bashkisë dhe gjatësia e kanalit është rreth 6.5 km”, u përgjigj bashkia Durrës për Citizens Channel.
Megjithatë pastrimi i kanalit nuk është një zgjidhje përfundimtare, pasi ujërat e zeza përsëri do të kalojnë në një kanal të hapur, që kundërmon aromë të keqe, përhap sëmundje dhe derdhet në bregdetin e Porto-Romanos, ku përveç se një zonë që përdoret për peshkim, shërben edhe për plazh përgjatë stinës së verës.
Sipas informacioneve të Citizens Channel nga bashkia Durrës, për tu rehabilituar kanali duhet një investim rreth 3 milion euro, që bashkia e ka të pamundur.
Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotur
Ujësjellës Kanalizime Durrës krahas furnizimit me ujë, ofron edhe shërbimin e largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotur. Impianti sipas inxhinierit Bledar Metalla, trajton ujërat e zonës së Plazhit, nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait, një investim me vlerë 6 milion euro dhe që përfundoi së fundmi.
Olsi Graceni, drejtor i impiantit, na shpjegoi se impianti e ka nisur punën që prej muajit prill 2013 dhe ka tre linja kryesore; linja e trajtimit të ujit të ndotur, linja e trajtimit të llumit dhe linja e përfitimit të biogazit.
Investimi në sistemin e kanalizimeve në zonën e Plazhit, duket se ka sjellë një diferencë të konsiderueshme në sasinë e ujërave të zeza të trajtuara përgjatë vitit 2017, me një sasi rreth 9 milion m3, nga 7.5 milion m3 që ishte në vitin 2016.
Uji pas përpunimit përfundon në det, por në norma ndotjeje brenda standardeve të vendit tonë dhe BE-së.
Investimet, kosto për xhepin e qytetarëve
Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), shkruhet se për vitin 2017 është miratuar tarifë e re për shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe Tiranë, ku ERRU i cilëson si raste më të rëndësishme dhe me ndjeshmëri në publik, pasi këto dy shoqëri mbulojnë praktikisht 1/2 e popullsisë së vendit.
Sipas Entit Rregullator të Ujit, miratimi i tarifave të reja për Ujësjellës Kanalizime Durrës, ka pasur si bazë modelin financiar të hartuar për financimin prej 85 milionë dollarë nga Banka Botërore.
Në 18 korrik 2017, KKRR-ja miratoi tarifat e reja që UKD kishte propozuar dhe për konsumatorët familjarë nga 65 lekë/m3, çmimi u rrit në 71 lekë/m3. Megjithatë sipas ERRU-së UKD-ja rezulton me humbje, me borxhe në pagesën e energjisë elektrike dhe ia del me anë të mbështetjes që merr nga qeveria qendrore.
Por situata e ujërave të zeza paraqitet problematike në të gjithë territorin e vendit. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi tetorin e vitit të kaluar se, “kemi të verifikuara mbi 800 subjekte që i derdhin ujërat e zeza në lumenj dhe det. Të gjitha këto kanë leje mjedisore që do të rishikohen. Për ata që nuk zbatojnë rregullat, lejet nuk do jenë më të vlefshme. Është e patolerueshme që kaq shumë bare e restorante derdhin ujërat e zeza në det. Brenda majit të vitit tjetër duhet të kenë realizuar një deburator të ujërave të zeza”.
Por mbetet për tu parë se sa do të realizohet ky objektiv, pasi bazuar në legjislacionin në fuqi dhe një urdhëri të kryeministri Edi Rama në mars të vitit 2016 “për planin e masave dhe ngritjen e Task-Forcës për menaxhimin e sezonit turistik veror”, situata duhet të ishte me e mirë në krahasim me rezultatet e monitorimit të këtyre muajve të Citizens Channel, ku u evidentua se asnjë nga lidhjet dhe kanalet që prej vitesh shkarkojnë ujëra të ndotur në det, nuk janë ndërprerë.
Autor: Geri Emiri
https://citizens-channel.com/2018/02/19/investigim-ujerat-e-zeza-kane-pushtuar-qytetin-dhe-bregdetin-e-durresit-video/