Një goditje e rëndë e fjalës së lirë në Turqi, gjashtë gazetarë të cilët akuzohen për lidhjet me Fetullah Gulen janë dënuar me burg të përjetshëm.
Miku i dikurshëm i Recep Tayyip Erdogan akuzohet se organizoi grushtin e dështuar të shtetit korrikun e vitit 2016.
Gazetarët Ahmet Altan, Mehmet Altan, si dhe Nazli Ilicak do ta kalojnë jetën në burg, sepse sipas aktpadisë kanë qenë të informuar që përpara për puçin ushtarak.
“Kjo është një ditë e errët për lirinë e shtypit dhe për drejtësinë në Turqi. Ajo krijon një precedent armiqësor për të gjithë gazetarët e tjerë, që përballen me procese gjyqësore të ngritura mbi akuza të ngjashme të falsifikuara terrorizmi”, deklaroi drejtoresha e degës së “Amnesty International” për Europën, Gauri van Gulik.
Vendimi u mor disa ditë pasi Turqia liroi gazetarin Deniz Yucel, korrespondent i gazetës gjermane “Die Welt” i cili qëndroi një vit prapa hekurave për propagandë pro partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit.