Nga Gjovalin Gjadri
Kur kaloj tash para shtëpisë ku jemi njohtë bashkë, nuk e di sak, nëse jam apo s’jam i përmalluem. Mundem me të sigurue se në jetën teme nuk ia kam urue kurrkujt të keqen e as tash nuk ia due kujt, por me m’thanë kush se po e han dreqi tanë botën s’e kisha ça kryet aspak, aq të padrejtë e ndiej plagën që vdekja jote ka çilë tek un. Shtëpia natën asht e errët dhe e heshtun, a thue se mbrenda saj enden të vdekunit. I dërrmuem nga pamja e vrazhdë e tërhjeku fëmijën për dore si për ngushllim, më duhet me thanë diçka, i tregoj se mbas atyne dritareve të pandriçueme kam njohtë nanën e tij. Fëmija çon kryet, sheh me sytë e bukur shtëpinë dhe s’më gjegjet, vetëm era fryn ma e fortë në kthesë m’a freskon ngushëlluese ballin e ban që të shfaqet tek un vegimi i zymtë se vdekja e vjeshtës ecë me kambë të shpejta.