Në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës ka vijuar puna për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm duke ndërprerë lidhjet e paligjshme si dhe për nënshkrimin e aktmarrëveshjeve me UKT për detyrimet e prapambetura.
Kur kanë mbetur edhe 14 ditë nga afati i lënë në dispozicion të konsumatorëve familjarë për të formalizuar lidhjet e tyre apo për të lidhur aktmarrëveshje për detyrimet e prapambetura, një numër i konsiderueshëm qytetarësh i janë drejtuar sporteleve të UKT.
Vetëm në këto 10 ditë, janë nënshkruar 300 aktmarrëveshje. Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje konsumatorëve familjarë që të përfitojnë nga afati deri më 28 shkurt, për të lidhur kontratat e rregullta me UKT-në .