Nga Sonila Alushi
Nuk është hera e parë që dëgjoj apo lexoj nga autorë e intelektualë të ndryshëm shqiptarë, jashtë vendit apo brenda tij, komente plot pakënaqësi, kritika të ashpra e me tone arrogante për atë pjesë prej nesh (e nuk jemi pak) në emigracion që krenohemi me Ermal Metën & co., të cilët po shkëlqejnë në vendin ku jetojmë. Disa syresh, mjeshtër të fjalës aq sa për t’ju përulur, janë biles kaq bindës sa, para artikujve të tyre, gati-gati të vjen turp e të duket vetja një nacionaliste vulgare. Gati-gati në rastin tim, se mbase dikë tjetër turpi e mbulon krejt dhe harron që ne masa, ne shumica, këtu ku jetojmë, paguajmë ende çmimin e reklamës negative, me të cilën mediat italiane janë ushqyer prej vitesh; harron që fjala “shqiptar” dhe “emigrant” këtu ende shpesh nënkupton atë kriminelin apo atë skllavin me dy gramë kulturë, një gramë tru e zero gramë talent; harron që diskriminimi i vazhdueshëm, dje më keq se sot, na ka penalizuar aq shumë sa jo rrallëherë jemi gjendur pa shtëpi e pa punë, jo se s’dinim, por se s’na donin e se kishin frikë prej nesh.
Që tani puna ka ndryshuar shumë, kjo është e padiskutueshme. Që mediat kanë filluar të na lenë pak rehat të jetojmë si njerëz dhe jo si “gjakpirës” apo si “mjete pune”, edhe këtë e kemi thënë. Por, ajo që mbase nuk kemi thënë fare ose nuk kemi thënë mjaftueshëm është se reklamën negative të bërë komunitetit tonë këtu në Itali prej vitesh, e ka luftuar pikërisht shembulli i suksesshëm i artistëve apo autorëve si Meta, Kadiu, Dones, Paci, e të tjerë, të cilët kanë hyrë mrekullisht bukur në shtëpitë e italianëve edhe pa trokitur fare. Dhe ky fakt nuk ka ngritur thjesht entuziazmin për të valvitur flamurin e për të bërë shqiponjën me duar. Ky fakt, na ka ngritur moralin dhe na ka ndihmuar praktisht e materialisht në jetën tonë të përditshme sepse duke ndryshuar pozitivisht imazhin në imagjinatën e autoktonit mesatar, ka ndryshuar pozitivisht dhe konsideratën e tij për shqiptarët; konsiderata ka luftuar paragjykimin; paragjykimi i zvogëluar i ka lënë hapësirë besimit; besimi ka rritur mundësitë; mundësitë na kanë lehtësuar jetën.
Ndaj ne gëzojmë e krenohemi se i falemi nderit këtyre talenteve me fytyrat e bukura e të qeta që kanë zbukuruar ekranet e Italisë. Ne jemi krenarë për ta, se ne kemi patur dhe ende kemi nevojë për ta. Ne pra ne, jo ju intelektualët, artistët, dijetarët. Ju që jetoni pa siklete mbi fronet mëse të merituara e të nderuara. Ju që patët, keni, fatin dhe zotësinë të mos jetoni diskriminimin, sepse janë të pakët apo të aspakët ata shqiptarë, të huaj apo marsianë që nuk ju shohin me respekt dhe admirim. Ndaj edhe mund ta kuptoj veljen tuaj, mund ta kuptoj që këtë pjesën tonë nuk keni sy ta shikoni; e kuptoj dhe e kam zili arritjen tuaj të të ndjerit qytetarë të botës, jo vetëm të Shqipërisë. Por mos, mos na gjykoni keq ne që vazhdojmë luftojmë etiketat dhe për ta bërë këtë kemi ende nevojë për fytyrat e sukseshme të bashkëatdhetarëve tanë.
Mos na gjykoni kaq ashpër e mos na pështyni cinizmin tuaj prej njerëzish të ngopur nga jeta. Nuk mund ta shohim të gjithë botën dhe shoqërinë nga dritarja e fronit tuaj të nderuar. Biles-biles sarkazma e disave prej jush atë dritare na e mbyll krejt. Ne jemi masa, po, dhe s’është aspak turp të jesh. Jemi ata që vritemi punëve dhe hidhemi nga një detyrë në tjetrën me fëmijët zvarrë. Sigurisht, ndonjëherë apo shpesh na flet barku e zemra më shumë se koka, ndaj sytë i kemi nga ju mendimtarë, shkrimtarë, gazetarë. Por, nëse ju (jo të gjithë, dihet) e keni humbur kontaktin dhe empatinë me të thjeshtët, dhe qëllimin e keni jo të ndriçoni mendjet, por të evidenconi sa larg janë shkallët tona nga froni juaj; apo t’i tregoni kolegëve tuaj sa bukur zotëroni fjalën dhe sarkazmën, atëherë sinqerisht e me keqardhje po jua them: nuk na duheni.
Jam krenare per te gjithe ata Shqiptar qe jetojn ne emigrim per zgjedhje te jetes tyne qe cdo dite perbadhojn jeten me dinjitet e djersen e ballit,Ato jane ambasadoret ma te mire qe kontribojn cdo dite jane 0000 000 e individeve 1..2…3.Jam krenare per te gjithe ata shqiptar me dopio cittadinanz qe pyetjes nazionalita pergjgjen Shqiptar?Jam krenare per te gjithe ata femij …e te rinj qe shkojn ne shkoll cdo dite e studiojn ne gjuhen ku jetojn e japin rezultati.Jam krenare per ata te gjith Shqiptar qe nuk ju vjen marre me deklaru prej ka vijn pse jan shembull per vedin e vet.per te gjithe ata qe flasin shkrujn kendojn kercejn muzikojn e mendojn e nuk harrojn te kontribojn per me rrit krenarin e Shqipnise.kjo asht krenaria jeme .