Nga sot, në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopsht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017.
Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli” dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe.
Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë.
“Sot e fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriale të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.
Bashkia e Tiranës parashikon që në këtë pjesë të parkut të vendoset edhe busti i shkrimtarit, që së bashku me pemët e selvisë që u mbollën sot, do të krijojnë kopshtin e Dritëro Agollit.