Real Madridi e fitoi 4-1 finalen e Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, edicionin e kaluar, por askush nuk priste që ajo të ishte e lehtë, ndaj ky ishte mesazhi i Zinedine Zidane për lojtarët e tij. “Marca” ka nxjerrë në pah fjalimin 2-minutësh, që trajneri francez dha për të tijtë, në të cilin bën thirrje për mbrojtje fizike. “Ne e dimë se është një lojë e vështirë, por është e njëjtë edhe për ta. Gjëja më e rëndësishme është mbrojtja me agresion, por jo lloji që të merrni kartonë të verdhë”. Zidane, gjithashtu, diskutoi taktikat, duke theksuar se skuadra italiane ka luajtur me një 4-4-2. Ai i udhëzoi lojtarët e tij se si të kundërpërgjigjen. Ja fjalimi i plotë i Zidanes para lojtarëve të tij, në finalen e Cardiff-it, në dhomat e zhveshjes:
“Vetëm disa gjëra të vogla. Është një finale dhe e dimë që është e vështirë, por e tillë është edhe për kundërshtarin. E rëndësishme për ne është që në fazën mbrojtëse të jemi më shumë agresivë. Jo agresivë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por të gjejmë kohën e duhur. Nënkuptoj më të ngjeshur, më kompaktë dhe më agresivë. Ata luajnë 4-4-2, me Mandzukiç dhe Dani Alves, shumë të avancuar. Ajo që duhet të bëjmë, është t’i zmprapsim, ashtu siç na takon të bëjmë ne. Isco, kur topin ta ketë kundërshtari, shko luaj në të majtë, në linjë me mesfushën tonë dhe kështu do të kthehemi në 4-4-2 edhe ne. Kur të rikuperojmë topin, avanco mes linjave. Duhet të kemi parasysh që kur të kemi topin, të tregojmë durim. Të luajmë, por të tregohemi më të shpejtë dhe të zbresim nga krahët, me Carvajal dhe Marcelo, të gatshëm për të vrapuar në fundore.
Kur të kemi topin, duhet t’i detyrojmë që ata të mbrohen shumë mbrapa, duke mbajtur atje Carvajal e Marcelo. Për pjesën e mbetur, duhet të luajmë ashtu siç jemi përgatitur gjatë javës, me Modriç e Isco, që duhet të bëjnë me radhë sulmin dhe mbrojtjen. Goli vjen kështu: Luajmë me topin, hapemi në krahë, topi në mes dhe mbërrijmë në qendër, për ta dërguar në rrjetë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë pra, është t’i japim lojës më shumë ritëm dhe më shumë shtrirje. Jo shumë lojë në qendër, por dalje sa në një krah, edhe në tjetrin. Në mbrojtje fusim këmbën gjithmonë dhe vazhdojmë punën. Është një finale dhe patjetër që do të vuajmë, por me qetësi. Duhet të mendojmë që goli do të vijë. Dakord? Shkojmë!”
mhttp://telesport.al/fjalimi-plote-zidanes-per-realin-para-finales-se-champions-ne-cardiff-video/