Në vëmendje të kryeministrit të sotëm shqiptar, zotit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm, zotit Ditmir Bushati. Një letër adresuar drejtuesve te shtetit shqiptar në vitin 2008, e mbetur pa përgjigje dhe reagim!
Presidentit të Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. zotit Bamir Topi
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. zotit Sali Berisha
Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, zotit Lulëzim Basha
Tiranë, më 17 Nëntor 2008
Të nderuar zotërinj, personalitete dhe përgjegjës të sotëm të shtetit shqiptar! Si një ish nëpunës i atij shteti dhe njohës i marrëdhënieve shqiptaro-greke, si dhe nisur nga arsyeja e origjinës sime, meqë i përkas popullatës së shumëvuajtur shqiptare të Çamërisë, po ju drejtohem me këtë letër duke formuluar një shqetësim që ka të bëjë me gjendjen e fundit të Çështjes Çame. Siç bëhet e ditur, shteti dhe qeveria aktuale greke kanë publikuar lajmin e riformulimit të kadastrës kombëtare greke, sipas kërkesës dhe standardeve të BE-së, të kërkuar me ngulm nga kjo e fundit vite më parë. Kjo ka të bëjë me riregjistrimin e pronave dhe pronarëve, mbasi siç dihet shteti grek gjithashtu është nga të vetmit që nuk ka pasur një kadastër themelore të rregullt të territorit të saj, me përjashtim të territorit të banuar nga shqiptarët e Çamërisë, si dhe të tjera territore në kufi me shtetet e tjera fqinje, kufi të pranuar ndërkombëtarisht. Për fatin e mirë të shqiptarëve të Çamërisë, ky territor i banuar ka pasur një kadastër të rregullt, i cili ishte nga më të rregulltat krahasuar me pjesët e tjera të shtetit grek, ku ose ka munguar kadastra ose ka mbizotëruar një kaos deri më sot. Bashkimi Evropian nuk e ka akceptuar këtë gjendje kadastrale në Greqi, por kërkon rregullimet e duhura ligjore e historike me pronar të ligjshëm. Këtu kam parasysh të quajturën “Paketa Spanjolle” të propozuar disa vite më parë, e cila ka të bëjë me standardizimin dhe stabilizimin e një kadastre të vendeve të BE-së. Në këtë kuadër problemesh që ka shteti grek për regjistrimin dhe riformulimin e një kadastre të dytë të re, për të cilën ai ka shpallur publikisht edhe afate kohore, ku poseduesit të paraqesin pretendimet e tyre, preken direkt interesat themelore të shqiptarëve të Çamërisë si ishshtetas grekë. Nisur nga pozita e deri tanishme e Çështjes Çame, e mbetur pezull dhe e pa zgjidhur midis shtetit shqiptar si obligues dhe shtetit grek si përgjegjës, nisur dhe nga fakti, se zyrtarisht po demonstrohet një heshtje dhe nuk ka asnjë prononcim zyrtar dhe aksion konkret nga shteti shqiptar ndaj këtij momenti me tepër rëndësi, ku për fat të keq po shohim një neglizhence të pa justifikueshme. Duke qenë se i njoh mirë shqetësimet dhe problemet delikate që mbartin marrëdhëniet shqiptaro-greke nga e kaluara, sipas mendimit tim ato nuk mund të justifikohen dhe janë artificialisht të krijuara nga shteti grek e të pranuara heshturazi për arsye dobësie nga shteti shqiptar deri më sot. Ky kolaps ku është vendosur çështja çame është i pa konceptueshëm dhe i dëmshëm, gjë që dëshmon se kemi një „diletantizëm“ shtetëror, ndërkohë që shohim se energji të tëra demonstrohen në sensin negativ në jetën e përditshme të mbarëvajtjes dhe funksionimit të shtetit shqiptar, sidomos ato në raport me marrëdhëniet me shtetin fqinj grek. Nuk kam dashur kurrë të marr pozitën e një njeriu kritikues, por më vjen shumë keq, sepse konstatoj jo vetëm një diletantizëm apo neglizhencë të pafalshme, por edhe një heshtje misterioze. Madje, kam konstatuar me keqardhje se janë fshirë nga kujtesa diplomatike e shtetit shqiptar dhe personave përgjegjës për politikën me shtetin grek edhe ato përpjekje dhe arritje në periudhën që unë kam mbuluar këto marrëdhënie në Ministrinë e Jashtme në trajtimin e problemeve të mbetura pezull në marrëdhëniet shqiptaro-greke, arritje të cilat mendoj se janë me vlera të mëdha të qeverisjes në vitet 1992-1996.
Të nderuar zotërinj, situata kërkon që specialistët tuaj t’u referohen vazhdimisht përpjekjeve të bëra dhe sfondit të deritanishëm të problemeve me Greqinë dhe ato të mos i zëri pluhuri i rafteve të arkivave vetëm për të mos u prishur qejfin grekëve, të cilët janë të pranishëm me presionin e tyre në jetën dhe funksionimin e shtetit shqiptar. Mbi këtë bazë kërkohet të mbahen qëndrimet dhe pozicionet politike të rangut tuaj të lartë. Ju bëj me dije se në bisedimet zyrtare të N/Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Grek, në nivel ekspertësh, të mbajtura në Ministrinë Jashtme në Tiranë më 1995 është diskutuar ndër të tjera edhe problemi i pronave shqiptare në Greqi dhe ai i çamëve në veçanti . Në atë kohë, kjo u trajtua me kurajë dhe përgjegjësi dhe me mjaft kujdes dhe guxim diplomatik, aq sa që u detyrua pala greke të mbajë qëndrim dhe të pohojë se çamët janë të pafajshëm. Ky moment i madh për ne dhe për Çështjen Çame në atë kohë ishte historik, por me një fat tragjik, se edhe kjo u pasua me një heshtje të mëtejshme mbas 1997 dhe me një “diletantizëm empirik”, duke e rikthyer problemin përsëri në atë të 3 quajtur “inegzistencë” nga shteti dhe qeveritë greke, për të mos thënë që ky moment dhe kjo arritje është fshehur. Madje akoma me keqardhje shikoj se shumë nga çështjet e mbetura pezull janë zbatuar larg zgjidhjeve dhe rekomandimeve që janë bërë e nënshkruar nga të dyja palët në atë periudhë. Por shqetësimi im ka të bëjë më shumë me momentin e vështirë që po ballafaqohet Çështja Çame, ku ka përpjekje shqiptare për ta minimizuar një problem kryekëput politik në një çështje thjeshte teknike, apo siç dëgjohen zëra edhe nga përfaqësues të lartë të politikës shqiptare, se çamët duhet t’i drejtohen Strasburgut në mënyrë individuale për të zgjidhur problemet pronësore në shtetin grek e të tjera, e të tjera. Këto deklarime janë të formuluara keqazi e nuk kontribuojnë aspak në zgjidhjen e vërtetë të problemit çam, por e dëmtojnë atë.
Jo, të nderuar zotërinj, ju e dini mirë se në rastin e Çështjes Çame nuk kemi problem individi apo thjeshtë çështje teknike. Jo, kurrsesi! Kemi të bëjmë me një problem kolektiv, me një dëbim dhe privim kolektiv, që kërkon vëmendje e zgjidhje kolektive dhe në rradhë të parë politike. Përderisa me dhimbje dhe shumë ngurrime u formulua, jo direkt, edhe në Traktatin e Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë si një akt politik, e shoh si një interpretim të dëmshëm trajtimin e Çamërisë si dhe të pronave të saj, apo më shqip në katandisje të një problemi kaq të mprehtë politik si një çështje teknike. Qeverisë greke duhet t’i kërkohet që të hapi politikisht rrugën e trajtimit të çështjes dhe pastaj të nën-çështjeve teknike që lidhen me këtë akt, si hap i parë zyrtar që u hodh nga të dyja palët në Tiranë më 1995. Këtë duhet ta bëni ju me kurajo dhe mos t’ia lini në dorë vetëm çamëve ato çështje që kanë të bëjnë me nderin dhe autoritetin e shtetit shqiptar. Ju garantoj se nuk do të ketë acarime, por do të ketë zgjidhje dhe kjo u provua më 1995. Duke arsyetuar mbi atë se çfarë është e vërteta e Çështjes Çame, si dhe përvojën diplomatike personale që e vura ne dispozicion të shtetit shqiptar gjatë kohës kur i kam shërbyer këtij shteti dhe duke besuar se do të mirëkuptoni shqetësimin dhe mendimet e mia në dobi të zgjidhjes së problemeve e interesave kombëtare dhe të vetë Çështjes Çame, ju parashtroj dhe ju kërkoj nëpërmjet kësaj letre të hapur sa më poshtë: Të merren masa dhe të formulohet një qëndrim i ri nisur me rregullimet kadastrale që po bëhen në shtetin grek, me të cilin ju deklaroni se keni marrëdhënie shumë të mira, për të mbrojtur interesat kolektive të çamëve por edhe ato kombëtare të shtetit shqiptar: 1. T’i kërkohet në kanale diplomatike shtetit grek dhe Bashkimit Evropian, për të bërë të gjitha përpjekjet për të deklaruar zyrtarisht njohjen nga Greqia të regjistrimit dhe të pronarëve të pasurive, si pronarë të ligjshëm, atë në momentin e largimit të dhunshëm të çamëve më 1944-45, deri në një moment të pritshëm, kur të 4 demonstrohet vullneti i zgjidhjes politike nëpërmjet lejimit të lirë të kthimit në të drejtat e tyre ligjore. Ju rikujtojmë këtu se mbas largimit të shqiptarëve të Çamërisë, menjëherë shteti grek regjistroi pronat dhe kolonët e vendosur në këto prona mbas dëbimit të pronarëve të vërtetë. Deri më 1975, janë paguar qiratë e rregullta nga poseduesit për llogari të pronarëve, pra të çamëve, në Bankën Agrare Greke, e cila ishte ngarkuar ligjërisht në atë kohë për të administruar si shtet pronat e të dëbuarve çamë. Një regjistrim i ri i pronave çame në kushtet e tanishme është i panevojshëm, i pa mundur dhe jo i dobishëm dhe nuk ndihmon zgjidhjen e drejtë sipas standardeve të BEsë. Po të kemi parasysh këtu dhe qëndrimin e deritanishëm zyrtar grek ndaj çështjes çame, si dhe faktin që një pjesë e konsiderueshme e çamëve kanë ikur për të shpëtuar kokën dhe s’kanë pasur mundësi të marrin me vete dokumentet e pronësisë ose i kanë humbur rrugës nga koha e eksodit, një riregjistrim grek i pronave në Çamëri-Thesproti nuk do t’i shërbejë zgjidhjes së problemit por destabilizimit të mëtejshëm kadastral. 2. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin edhe nga Traktati i Miqësisë midis dy vendeve por dhe i të drejtave dhe standardeve ndërkombëtare për respektimin e të Drejtave të Njeriut (si e Drejta mbi Pronën) t’i kërkohet zyrtarisht Qeverisë së sotme greke që të riformulojë edhe në adresë të shqiptarëve të Çamërisë të larguar dhunshëm më 1944-45, Amnistinë e Përgjithshme Greke të vitit 1985, ku ajo lejoi të gjithë shtetasit e saj grekë të larguar nga Lufta e Dytë Botërore të kthehen në Greqi, me të drejta të plota, me përjashtim të shtetasve grekë me kombësi jo greke, si çamët dhe maqedonasit. Këta të fundit me presion lavdërues të shtetit të ri maqedonas janë lejuar të vizitojnë trojet dhe shtëpitë e tyre në shtetin grek dhe dalëngadalë siç po dëshmohet po përfitojnë të drejtat e tyre. Për fat të keq, çamët janë lënë si të braktisur nga shteti ynë, i cili nuk ka mundur të demonstrojë sado pak nivelin e presioneve ndërkombëtare dhe guximin e shtetit maqedonas, i cili edhe ai kanë nevojë të integrohet në BE dhe në NATO, po aq sa dhe shteti shqiptar ka nevojë për miratimin dhe mirëkuptimin grek. Mendoj se rasti i qëndrimit maqedonas duhet studiuar mirë si përvojë në respektimin e reciprocitetit në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbrojtje të interesave kombëtare. Një amnisti për çamët apo plotësim i Amnistisë greke të 1985, do t’i jepte fund interpretimeve keqdashëse deri më sot dhe ky do të ishte hapi konkret politik, që lejon zgjidhjen e problemit në të tëra aspektet. Është koha që shteti shqiptar ta kërkojë këtë zyrtarisht e me këmbëngulje. Në rast të kundërt, në qoftë se nuk tregohet vëmendja dhe ndjeshmëria politike dhe diplomatike për të përfituar nga ky moment që po kalon kadastra greke dhe vetëm do të justifikohemi siç është vepruar dhe argumentuar deri më sot, ju siguroj se do t’i shkaktohet edhe një dëm po kaq i 5 madh sa i është shkaktuar Çështjes Çame nga ana e shtetit dhe diplomacisë së PasLuftës së Dytë Botërore. 3. Çdo formulim zyrtar për Çështjen Çame, që duhet bërë në adresë të shtetit dhe qeverisë aktuale greke, duhet me doemos t’i vihet në dijeni BE-së, pavarësisht nga rekomandimet e deri tanishme të saja për një trajtim bilateral të çështjes. Në fund të fundit kadastra çame nuk është vetëm juridiksion i kadastrës greke por edhe i BEsë dhe kjo e fundit nuk mund të shmangë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e të gjithë territorit të saj, ku bën pjesë edhe Çamëria. Së paku standardet e BE-së nuk sanksionojnë që pronarët e ligjshëm dhe natyrorë të saj të privohen nga kjo e drejtë themelore bazë. Përkundrazi, pavarësisht nga rekomandimet e deritanishme, BE-ja mban një përgjegjësi të madhe, që pronat dhe shtëpitë e çamëve i trajton si të sajat dhe pronarin nuk e njeh. Jo! Kjo është e pa konceptueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të funksionimit të Drejtave të Njeriut në atë që quhet Bashkimi Evropian. 4. Të vihet në lëvizje personeli diplomatik dhe konsullor shqiptar në shtetin grek, që me të gjitha energjitë e duhura të jetë në korrent të veprimeve greke në ketë aksion të regjistrimit të pasurive, për t’i paraprirë çdo abuzimi dhe falsifikimi apo dëmi që mund t’i shkaktohet më tej interesave të zgjidhjes së Çështjes Çame, duke kartelizuar çdo veprim grek me këtë rast. Edhe njëherë, duke përfituar nga rasti t’ju shpreh respekt të lartë, shpresoj se do të gjej mirëkuptim dhe veprim konkret dhe mbetem me shpresë për të parë gjithashtu hapa konkrete për të shpresuar se çamët nuk janë braktisur dhe lënë të vetëm në përpjekjet e tyre të dhimbshme.
Me respekt, Petrit Kasemi (Begati), ish-diplomat dhe specialist i marrëdhënieve shqiptaro-greke në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 1992-1996.