Nga Dino Buzzati
Po të isha shumë i pasur, do të ndërtoja një shtëpi kështu: një paradhomë shumë të vogël, një korridor të ngushtë, një dhomë ndenjeje të mjerueshme, një dhomë gjumi të shkretë, mobilje të varfra e të zhveshura, ca tablo, qilima asnjë, perde hiç fare, llamba të zbehta e të bezdisshme, atmosferë e përgjithshme parehatie. Përsa i përket banjës, ama, banjën do ta bëja të paktën dyzet metra katrorë, dhe aty mermerë, majolika, çezma të shndritshme e shumë të fuqishme në vermeil, llambadarë ngadhënjyes, pasqyra pa mbarim e të lëmuara, tapetë të butë prej sfungjeri me ngjyra delikate, sërë e sërë parfumesh të rralla e tepër të shtrenjta, letra higjienike të buta si një psherëtimë, shishka e spërkatës të çdo lloji, gramafonë stereofonikë me disqe madhështore, me një fjalë, luks i shfrenuar, hapësirë e tepërt, ëndje për t’u vërtitur lart e poshtë lakuriq, mbase edhe me vrap. Përse arkitektët e ditur nuk ndërtojnë shtëpi të tilla? Është lehtë të durohet mjerimi, kur mund të dhjesësh si zotëri.