Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome ka kërkuar nga kryebashkiaku i Elbasanit që të ndërmarrë hapa konkretë për sigurimin e strehimit të qëndrueshëm për rreth 70 familje të varfëra të cilat nuk e përballojnë dot strehimin me të ardhurat e tyre.
Në kërkesën për të cilën janë vënë në dijeni edhe Olta Xhaçka, Arben Ahmetaj, dhe Claus Neukirch, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, thuhet se janë identifikuar disa godina të cilat gjenden në listën e aseteve të Ministrisë së Mbrotjes të dala jashtë funksionit dhe nevojitet që bashkia Elbasan të kërkojë transferimin nga ministria.
KËRKESË
Kërkues: Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome
Drejtuar: Z. Qazim Sejdini, Kryetar Bashkisë Elbasan
PËR DIJENI: Znj. Olta Xhaçka, Ministër i Mbrojtjes
- Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë
- Claus Neukirch, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, Tiranë
I nderuar Z. Sejdini,
Në vazhdim të shkresave të dërguar nga ana jonë në lidhje me mundësinë e zbatimit të programit të strehimit që ka të bëjë me përshtatjen në banesa sociale të objekteve të dala jashtë funksionit kërkojmë nga ana juaj të ndërmerrni hapa konkretë për sigurimin e strehimit të qëndrueshëm për rreth 70 familje të varfëra të cilat nuk e përballojnë dot strehimin me të ardhurat e tyre.
Prej muaj organizata jonë së bashku me familjet e interesuara kemi kryer një sërë përpjekjesh të cilat kanë ndihmuar në konkretizimin e mundësisë së strehimit. Duke qenë se tashmë kemi një objekt të identifikuar, nevojitet që bashkia Elbasan të kërkojë transferimin e tij nga Ministria e Mbrojtjes përmes një kërkese ku të shprehet destinacioni i ri dhe plani i përshtatjes së objektit.
Në ndihmë të kësaj procedure, ne ju kemi vënë në dispozicion një koncept ixhinierik dhe studim fillestar fizibiliteti për godinat e identifikuara të cilat gjenden në listën e aseteve të Ministrisë së Mbrotjes të dala jashtë funksionit. Sipas legjislacionit në fuqi, paraqitja e kërkesës suaj ndaj Ministrisë së Mbrotjes vendos në plan të dytë mundësinë e privatizimit duke i dhënë preçedencë transferimit të pronës drejt bashkisë në funksion të strehimit të familjeve në nevojë. Sipas analizës sonë mbështetur në PBA-në e bushetit të shtetit për vitet 2018-2020, është parashikuar produkti “I” në programin e “Planifikimit Urban dhe Strehimit”, i cili shërben pikërisht për këtë qëllim dhe financohet me shumën 100,000 Lëkë për vitin 2018.
Ne kemi besimin se Ministria e Financave dhe Ekonimisë do ta mbështesë këtë projekt duke u nisur dhe nga komunikimi me drejtuesit e drejtorisë së strehimit në ish-Ministrinë e Zhvillimit Urban, të cilët në vitin 2017, në një takim publik në Elbasan, premtuan publikisht se Qeveria do të mbështesë projektin nëse bashkia Elbasan e paraqet atë.
Të gjitha kushtet janë në favor të këtij projekti i cili do të zgjidhte përfundimisht problemin e strehimit për dhjetra familje të varfëra të Elbasanit, duke përmbushur të drejtën e tyre për një jetë dinjitoze si dhe duke ndihmuar integrimin e këtyre familjeve të varfëra në ekonominë lokale. Ajo që mbetet është hapi konkret nga institucioni që ju drejtoni me qëllim paraqitjen e kërkesës dhe argumenteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është në pritje të saj pas komunkimit që kemi patur në disa raste, dhe më pas realizimit të transferimit të pronës drejt bashkisë me qëllim aplikimin për fonde pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në funksion të financimit të projektit për shndërrimin e disa objekteve pa dobi në banesa për ata që kanë më tepër nevojë për to.
Me besim që institucioni juaj do të hedhë hapin e domosdoshëm në funksion të përmbushjes së qellimit për ti shërbyer qytetarëve në nevojë, ju uroj një vit të mbarë!.
Ne dhe dhjetra familje të interesuara për strehim jemi në dispozicionin tuaj në çdo rast.
Duke mbetur në pritje të një përgjigjeje të shpejtë dhe pozitive nga ana juaj, ju falenderojmë për mirëkuptimin.
Me respekt,
Ervis Çota
Drejtor Ekzekutiv
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome