Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, kanë dhuruar 60 banesa të reja për 60 familjet rome, që u prekën nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana.
Banesat e reja erdhën si një dhuratë për këto familje, të cilat mbrëmjen e Vitit të Ri do mund ta kalojnë në një shtëpi të ngrohtë.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP-në, përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, të cilat sot, në ditën e fundit të vitit, u janë dhuruar 60 familjeve të komunitetit rom.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që ky projekt përfundoi brenda një kohe të shkurtër, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan që edhe këto familje ta kalonin Vitin e Ri në një strehë të re.
Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe gjitha institucionet e tjera që mundën të ralizojnë këtë projekt që i jep zgjidhje problemit të një prej komuniteteve më të vuajtura në vend.