Një ngjarje e rëndë është parandaluar në qytetin bregdetar të Vlorës, e cila mund të kishte përfunduar me pasoja fatale. Një shtetas është vënë në pranga nga policia, pasi ka dhunuar bashkëshorten dhe kanosi me thikë vjehrrin e kunatin e tij.
Forcat blu u njoftuan nga banorët e zonës, se në lagjen ”10 Korriku”, në një banesë po konfliktoheshin me njëri-tjetrin disa familjarë, menjëherë kanë organizuar punën e kanë shkuar pranë vendit në fjalë.
Policia ka konstatuar dhe kapur në flagrancë shtetasin Krenar Likskëndaj, 36 vjeç, i cili kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij shtetases L.L., 28 vjeçe, dhe po kanoste me thikë vjehrrin dhe kunatin e tij të cilët ndodheshin në banesë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën e autorit.