Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se dialogu mbetet mekanizmi i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda vendit dhe me fqinjët, ndërsa bëri thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët për periudhën e re të bisedimeve me Serbinë.
“Kam filluar konsultat formale dhe joformale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut, të unitetit, për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. U bëj thirrje të gjithëve që të jemi të bashkuar në këtë proces. Sa herë që jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët na kanë mbështetur”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se ky proces do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur do të ratifikohet në parlament. Ai bëri thirrje për zbatimin edhe të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi që siç tha, Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë janë të zhgënjyer me pa aftësinë e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet.
http://www.balkanweb.com/site/presidenti-i-kosoves-kerkon-ekip-te-perbashket-per-bisedimet-me-serbine/