Nga Desada Metaj
Arta Marku ishte sot pa dyshim personazhi më i guximshëm në radhët e socialistëve. Aq sa ata që drejtonin dikur protestën e 21 janarit dukeshin si diletantë përballë një gruaje, që e kishte më të qartë se çdo rilindas në sallën e kuvendit se vendi i saj ishte ai që mazhoranca i kishte përcaktuar, në Prokurorinë e Përgjithshme. Sikundër e kishte po kaq të qartë që procedura me të cilën po zgjidhej ishte aq sa antikushtetuese aq edhe pjesë e një gare farsë mes kolegëve, kur dihej qartë se ajo do të ishte triumfuese me bekimin e Edi Ramës.
Por votimi për zonjën Marku ishte sot dhe arsyeja e betejës së parë të vërtetë dhe serioze mes opozitës dhe përpjekjeve të qeverisë Rama 2 për të marrë nën hyqëm edhe prokurorin e përgjithshëm. Zgjedhja e paralajmëruar e një kandidati të mazhorancës apo puçi kushtetues siç e quan Lulzim Basha është padyshim një akt i paprecedentë i shumicës së kartonave. Por paksa i vështirë për t’u kuptuar dhe reaguar masivisht nga qytetarët. Debati me terma jurdikë që shoqëroi këtë proces, zvarritja e hetimeve për ish- ministrin Tahiri, mosnisja e hetimeve për drejtues të tjerë të lartë të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në afera banditeske, padyshim qe kanë krijuar një grup skeptikësh që ende dyshojnë në vërtetësinë e lidhjeve të segmentëve të mazhorancës me botën e krimit. Dhe për të qartësuar sa më sipër, emërimi i Arta Markut vështirë se do te jetë ndihmë. Jo më shumë për emrin e ri të Kryeprokurores se sa për mënyrë se si u shkua deri në seancën e votimit me tym rozë të saj.
Edi Rama ishte i qartë që në fillim se mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm do të thoshte fundi i një periudhe gjakngrirë kur në çdo moment mund të plaste një “bombë”- dosje për të ose ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij të afërt. Dhe për këtë si gjithmonë ai përgatiti situatën duke nisur me procesin e zëvendësimit të Prokurorit të Përgjithshëm, që u kontrollua plotësisht nga mazhoranca.
Edhe pse u përpoq ai nuk arriti ta përfshinte opozitën në këtë proces kurth që gjithsesi mori vëmendjen e ndërkombëtarëve. Ambasada amerikane dhe zyra e BE në Tiranë, pavarësisht deklaratave të opozitës dhe zërave publikë kundër zgjedhjes së një Prokurori të Përkohshëm, i dhanë mbështetje Edi Ramës për të zgjedhur me shumicë të thjeshtë Prokurorin e ri të Përkohshëm. Duke mbështetur pikërisht të njëjtin kryeministër që nuk i kishte dëgjuar thirrjet e ambasadorit Lu për të larguar Elvis Roshin, Armando Prengën apo ndonjë tjetër. Dhe që sipas oreksit këtë herë i dëgjoi symbylltas, edhe pse qartazi po rrezikonte të shkelte kushtetutën dhe vettingun aq të dashur për ndërkombëtarët. Me mbështetjen e të huajve në Tiranë dhe me një procedurë të pandodhur më parë të një shumice të thjeshtë, Edi Rama bekoi sot Kryeprokurorin e ri ndërsa selitë diplomatike në Tiranë u shqetësuan më shumë për dëmet materiale të protestës sesa për një prokuror të ri pa vetting. Duke i dhënë dhe njëherë mbështetje Edi Ramës dhe përzgjedhjeve të tij, politikanit që në legjislaturën e kaluar kishte të paktën 6 deputetë me precedentë kriminalë e që sot ka ish- bashkëpunëtorin e afërt të akuzuar për përfshirje në organizatë kriminale. Në kohën kur opozita flet për të tjera dosje që “flenë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda,kur përgjimet që rrjedhin në media janë objekt i debatit të gjerë publik për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, kryeministri bekoi sot dhe Prokurorin e ri të Përkohshëm. Që me gjasë do të qëndrojë në atë detyrë derisa Edi Rama të sigurohet për kandidaturat e shoqërinë civile në këshillin e lartë të prokurorisë. Organi i vetëm që mund të zgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm është ende i paplotësuar, edhe pse në Shqipëri ka më shumë OJF se studio pikture.
Ndaj seanca e sotme e kuvendit e shndërruar në arenë beteje jo aq për emrin e Arta Markut sesa për kthetrat e pushtetit që mbërthyen të vetmin institucion që nuk zotërohet nga mazhornaca, është beteja finale e opozitës me qeverinë e Edi Ramës. Çdo kompromis përballë kësaj situate do të ishte rrënimi i plotë i një opozite të paragjykuar dhe i një PD-je të përçarë. Gjë që më shumë se kujtdo i vjen për mbarë kryeministrit të frikësuar, i gatshëm të çojë vendin në zjarr vetëm për një prokuror të përkohshëm. Që do të mund ta mbronte qoftë dhe përkohësisht nga dosjet ekzistuese apo hetimet e reja por që megjithë 69 votat do ta kishte gjithsesi të pamundur ta mbronte nga revolta e qytetarëve që besojnë se pushteti i Edi Ramës është mjaftueshëm i përfshirë me botën e krimit sa të largohet nga pushteti. E nëse ky është dhe qëllimi i vërtetë i opozitës, ajo duhet ta provojë këtë me çdo mjet apo mënyrë. E pas kësaj asnjë prokuror i përkohshëm apo i përhershëm, asnjë militant që betohet në emër të socialistëve në tymin e parlamentit nuk e shpëton dot Edi Ramën.
*Shkrim i botuar dje, me 18 dhjetor