Heshti për 26 viktimat për të nënshkruar marrëveshjen që i garantoi “pushtimin” e PS-së përmes Kodit të ri Zgjedhor dhe listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë
“Mos Harro!” u quajt një prej protestave të Ramës për Gërdecin në verën e vitit 2008, kur ishte në opozitë. Në krye të elektoratit të majtë, Edi Rama drejtoi protestën kundër Berishës për tragjedinë e Gërdecit. Ishte një protestë e qetë, e heshtur ashtu siç do të ishin edhe qëndrimet e Ramës për këtë ngjarje, ditët e vitet në vijim. Në të vërtetë Rama e harroi shpejt Gërdecin, sepse ju desh të hynte në marrëveshje me Berishën për ndryshimet në kodin elektoral, me sa duket të domosdoshme për të.
Tetë vite më parë
Më 15 mars 2008, në depot e demontimit të municioneve në Gërdec, ndodhi një shpërthim që brenda një kohe të shkurtër u kthye në tragjedi, duke marrë jetën e 26 njerëzve.
Kjo ngjarje i dha qeverisë Berisha goditjen më të rëndë gjatë mandatit të parë. Atë ditë kur në Spitalin Ushtarak vinin trupat e gjakosur nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, kryetari i PS-së Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë të partisë së tij, nga më kritikët ndaj qeverisë, siç ishte Erjon Braçe, u shfaqën në krah të Berishës për ta mbështetur në këtë situatë të rëndë që po kalonte vendi.
Dy ditë pas tragjedisë, Rama doli para mediave për të sqaruar qëndrimin e tij për ngjarjen e rëndë. Për të neutralizuar qëndrimet kritike ndaj tij, Rama i kërkoi Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të merrnin përsipër përgjegjësitë dhe të jepnin dorëheqjen.
“Gjëja më e lehtë do të ishte që, qysh sekondën e parë pas shpërthimit, unë të tregoja me gisht Kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për shpërthimin që tronditi botën duke marrë jetë të pafajshme… Ne, opozita e sotme e Shqipërisë, nuk bëmë atë që opozita e deridjeshme ka bërë në këtë vend me ulërima, akuza e shpifje sa herë që hija e viktimave të pafajshme ka rënduar kuptimplotë mbi supet e qeverisë. Ne nuk shtuam konfuzionin e panikun me krismat e politikës së vjetër në orët e një tmerri që kërkonte gjakftohtësinë e përqendrimin ekstrem të të gjithë atyre mjekëve, policëve e ushtarëve në një fushë të vërtetë lufte. Ne i dhamë dorën e solidaritetit e të bashkëpunimit qeverisë së vendit për të krijuar kohezionin e domosdoshëm politik në orët e një emergjence që mund të dilte jashtë kontrollit në rast se politika do të merrej me veten e jo me të vdekurit e me të mbijetuarit.
… Pa asnjë dyshim unë nuk e kam harruar për asnjë çast se shpërthimi vullkanik i Gërdecit ka ndodhur në vigjiljen e Samitit të Bukureshtit nga ku presim frytin e një përpjekjeje shumëvjeçare për anëtarësimin në NATO. Por, më lejoni të shpreh bindjen time, si qytetar i Europës dhe si kryetar i opozitës së këtij vendi që pret ftesën për në NATO, se kjo është një arsye më shumë që ne t’u tregojmë edhe partnerëve tanë se jemi të gatshëm të vendosim standarde morale e të marrim përgjegjësi politike dhe ligjore si anëtarë të denjë të familjes euroatlantike. Dorëheqja e Kryeministrit dhe e ministrit të Mbrojtjes do të ishin një kontribut i çmuar për të marrë ftesën, e kundërta do të ishte krejt jashtë parafytyrimit të partnerëve tanë e do të trashte në ditët në vijim një zullum që ende nuk ka filluar të shfaqet në sytë e mbarë opinionit publik”, tha Rama në një deklaratë për mediat.
Kritika plot politesë e kryetarit socialist, sigurisht që tronditi një pjesë të mirë të anëtarëve të PS-së, të cilët këtë ngjarje ishin mësuar ta përkthenin menjëherë në ndërrim pushteti. Gjithashtu, ishte diçka e pazakontë edhe për kundërshtarët e tij politikë të PD-së që kishin treguar tjetër reagim në shtatorin e ’98-ës, ose në janarin e 2004-ës.
Marrëveshja e 21 prillit
Situata e re politike u kthye në një sprovë të re për Edi Ramën. Kishte pranuar bashkëpunim me mazhorancën në funksion të anëtarësimit në NATO. Në të vërtetë Rama ishte në prag të nënshkrimit të një marrëveshje historike për të, e cila do t’i garantonte atij “pushtimin” e plotë të Partisë Socialiste. Ishte koha kur PD e PS po përfundonin marrëveshjen për reformën elektorale. Në fillim të këtij viti, pra 2008, Partia Socialiste në bashkëpunim me Partinë Demokratike krijuan komisionin bipartizan për ndryshimet në kodin zgjedhor. Në 21 prill 2008, dy partitë kryesore, PS e PD, miratuan ndryshimet në Kushtetutë, të cilat mundësonin një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura. Lista e mbyllur i dha Edi Ramës pushtetin e padiksutueshëm në PS, atë që në të vërtetë nuk do të mund ta kishte pa këto ndryshime në Kushtetutë. Berisha ia bëri këtë dhuratë Ramës, pasi nuk kishte asnjë kundërshti brenda partisë së tij, sepse listat e PD-së për kandidatët për deputetë kishin qënë të mbyllura edhe më parë. Berisha ishte i vetmi që vendoste në PD dhe jo vetëm për listat e kandidatëve për deputetë, por edhe për detajet më të vogla të jetës së një partie.
Ilir Meta e priti me protestë këtë marrëveshje. Meta i kishte kundërshtuar ndryshimet në Kushtetutë dhe protesta e tij shkoi deri në grevë urie për t’u mbyllur më pas me një seancë të dhunshme paralmentare. Ilir Meta dhe tre deputetë të LSI-së përmbysën gjithçka u doli përpara me mikrofonë, kompjutera e deri tek vazot e luleve para karriges së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Miratimi i kësaj marrëveshje ndau për katër vitet në vazhdim Ramën nga Meta. Për Ramën kjo nuk kishte shumë rëndësi në ato çaste.
Kur u vendosën me Kushtetutë ndryshimet në Kodin Elektoral, sipas të cilave kryetari i partisë vendos kandidatët për deputetë, në Partisë Socialiste u shuan zërat kundër kryetarit. Cilido kishte në mendje të dilte kundër, do të matej shumë mirë sepse nuk do të ishte më pjesë e listës së deputetëve. Disa prej tyre që kundërshtuan kryetarin, e panë veten jashtë listës dhe sot janë tërësisht jashtë Partisë Socialiste, edhe pse kishin një përvojë të gjatë në forumet më të larta drejtuese të PS-së. Rasti më i mirë është ai i Arben Malajt.
Me atë marrëveshje, Rama vendosi pushtetin e padiskutueshëm në PS, ndërsa Gërdecin e ka harruar, kurse tani nuk shfaqet as për kurora me lule në përvjetoret e 26 viktimave, për të cilët, ende nuk ka drejtësi.