Nga Valbona Mezini
Sot ne Partinë Demokratike si asnjëherë më parë ka dy qasje sjelljesh. Ata që mendojnë: oh sa mirë që e kam mirë me kryetarin deri në vdekje edhe kur na mungon alternativa dhe ata që mendojnë se alternativat e shëndoshjes së partisë janë të shumta dhe nuk i ka në dorë një njeri i vetëm. Duhet tryezë e gjerë mes demokratësh për të konkluduar se cila alternativë është probabile.
Të parët, së shumti interesin e kanë tek vetja ngjajnë me gavetën e ushtarit, e kanë shtrirë para kryetarit e presin t’u hedhë një garuzhde. Të dytët janë largpamës, sakrifikojnë edhe veten politikisht për t’i treguar Nastradinit se i ka hipur gomarit mbrapsht e nuk e sheh dot rrugën.
Ndaj sot e them me shpirt, PD -ja ime u bëfsh mijëra vjeçe, u ndriçofsh nga mendimi i lirë dhe qëllimet hyjnore por kurrë mos qofsh si sot në këtë 27 vjetor, pa dialog, pa vullnet palësh, pa fitore, pa vizion e pa punë përballë një qeverie sorrash grabitqare!!
Pa njerëz kurrë nuk ke qenë e nuk je, por mungon kjo dëshira për t’u ulur “elefantët”, të zgjedhin alternativën që t’i nxjerrin demokratët tradicional nga shpia e të të japin ty fitoren e merituar dhe vendit t’i rikthejnë shpresën. Qofsh më mirë mot!