Opozita nuk është shtet

Lexo edhe

Sot, ditën më të keqe që ka dhuruar natyra për njeriun në këtë tokë, nuk është. Po përmbytet gjithë vendi, po rrezikohet jeta dhe ekonomia e njerëzve… Edhe e nesërmja po rrezikohet. Askush nuk e di se kur do të mund të rivendoset në vend kjo ekonomi që po shkatërrohet sot…

Por, opozita nuk duket askund. “Ushtarët” e saj, domethënë militantët dhe njerëzit e popullit që prezumohet se do të votojnë nesër, janë lënë të vetmuar me dallgët e ujit, deri edhe me gjarpërinjtë që u dalin nga themelet e shtëpisë.

Po ku janë këta? As kryetari i PD, as deputetët e rinj të dalë nga inkubatori i zgjedhjeve të qershorit, as spektakolaret femra e meshkuj të lidhur me kryetarin që manifestojnë modë, trupa, gjokse, dhe humor… Ku janë? Asnjë prej tyre as është në teren, as është në punë, as është në kontroll të qeverisë mbi punën në përmbytje, as në krah të militantëve të vet.

Ka  dy arsye, me sa duket, pse nuk po duken.

Arsyeja e parë, është e lidhur me marrëveshjen Rama- Basha që u lidh përjetë më 18 Maj dhe sot e kësaj dite është mbajtur e fshehtë. Sipas asaj “martese” të dy palët “në të mirë në të lig” do të jenë së bashku. Në të mirë janë së bashku, sepse po tregojnë se opozita ka bërë të njëjtat zullume financiare si edhe qeveria. Edhe në ditët me diell të dy kryetarët i ndajnë bashkë batutat në Kuvend dhe askush tjetër nuk flet. Flasin aq shumë me njëri tjetrin me qëllim që të zënë “diellin” e secilit tjetër që ka dëshirë të thotë ndonjë gjë. Edhe në punët e begatisë së bimëve narkotike- siç po dalin disa kërcënime mes tyre- kanë shumë punë të përbashkëta… Këto ishin ditët e mira. Sot që është ditë e “ligë” përsëri bashkë. Opozita i është betuar qeverisë që të mos e lëndojë, kur i ka punët keq. Sot, i ka keq punët qeveria, por i ka edhe populli. Sot, Opozita ka vendosur të heshtë dhe të mos duket, që t’i lërë hapësirë qeverisë. Mirë e keq sot po duket vetëm qeveria. Sado që nuk do të duan ta votojnë në zgjedhjet e ardhshme, populli do të votojë atë “të keqin” që ndodhej aty. Ai që ndodhet aty sot është qeveria… E shikoni pse nuk u duk Opozita?

Arsyeja e dytë, pse nuk duket qeveria sot në ditë shiu të tmerrshëm, me sa duket lidhet me Çadrën. Opozita nuk del në terren, aty ku ka njerëz, ajo e ka vendin në çadër. Në çadër, për tre muaj që mashtroi popullin për “Republikë të Re” ngjizi autoritetin, marrëdhënien fake me Shtetet e Bashkuara dhe “martesën” me qeverinë. Jashtë çadrës opozita është e kundërta e peshkut. Ujori nuk jeton dot pa ujë, ndërsa opozita nuk rron dot aty ku ka ujë dhe dritë, vetëm në çadër.

Opozita është po aq “shtet” sa ç’është edhe qeveria, madje shumë më e rëndësishme në momentet kruciale të jetës së shtetit. Ky është parimi që e mban shtetin dhe demokracinë më këmbë.

Por, ka harruar se Opozita, edhe kur nuk do të fitojë, duhet të dojë popullin e vet; këtë duhet ta bëjë forcërisht, me ligj. Sepse, Opozita është pjesë e shtetit dhe duhet ta zërë këtë pozitë: Si shtet.

Ndryshe po shkallmon edhe konceptin e shtetit, ku mungon Opozita.

http://veritas.com.al/opozita-nuk-eshte-shtet/

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *