Shqipëria po kalon orë dhe ditë të vështira për sa u përket reshjeve të shiut dhe përmbytjeve, që kanë përfshirë disa qytete dhe akse të rëndësishme kombëtare. Duke parë situatën e vështirë, Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar të mendojë seriozisht edhe për shtyrjen e Kategorisë Superiore, pas Kategorisë së Parë dhe së Dytës.
Mësohet se FSHF-ë është duke negociuar me drejtuesit e klubeve për të marrë një vendim unanim, duke shqyrtuar edhe situatën nëpër stadiumet. Në 3 sfidat që ishin parashikuar për tu luajtur ditën e shtunë, terreni më i rënduar është ai i Gjirokastrës. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, fusha është kthyer në një arenë noti dhe është e pamundur të luhet futboll. Situatë pak më e favorshme duket në stadiumin “Skënderbeu”, edhe pse reshjet nuk kanë munguar në qytetin e Korçës, fusha nuk duket e rënduar.