Komisioneri për zgjerim e BE-së, Johannes Hahn, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i gatshëm për të marrë në konsiderim anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë një interviste për të përditshmen austriake, Wiener Zeitung, Hahn shprehet se anëtarësimi i këtyre vendeve do të siguronte paqe në rajon, ndërsa do të pasuronte edhe vetë BE-në.
“BE është e gatshme për zgjerim me vendet e Ballkanit. Ka më shumë gatishmëri brenda shteteve anëtare për të adresuar zgjerimin se sa një vit më parë”, tha Hahn.
Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja po kërkojnë të njëjtin status. BE-ja e sheh rajonin të rëndësishëm për çështjet si kontrollimi i migrimit dhe luftimi i kërcënimeve të sigurisë.
“Vendet anëtare e kanë kuptuar se paqja mund të arrihet në Ballkan dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE është jetike për të”, tha Hahn.