Nga Pranvera Vatoci
Tropoja sot, ndonëse është në zemër të trojeve etnike Shqiptare është jo vetëm e margjinalizuar padrejtësisht, por dhe e izoluar pabesisht! Nuk kam qëllim të hetoj arsyet dhe personat përgjegjës të këtij izolimi, por dua të shoh nga e ardhmja e vendlindjes, nga mund t’i vijë shërimi!
Po i qasem pak historisë së largët, e cila shpjegon pa koment dashakeqësinë e sotme ndaj Tropojës. Qysh në shekullin e XVIII-të Lugina e Lumit Drin, e cila përmes Tropojës lidh Kosovën me detin Adriatik ishte projektuar jo vetëm si aks rrugor, por dhe trase hekurudhore nga Austro-Hungaria. Për arsye që i i shpjegon dashakeqësia, jo vetëm kjo nuk ndodhi, por tani në Mileniumin e ri, kur po lidhet Nishi me Durrësin, askush nuk mendon të lidhë Tropojën me pjesën tjetër të Atdheut.
Korridori Adriatik-Alpe mbeti një vegim dhe një premtim elektoral, ndërsa tropojasit duhet të kalojnë katër procedura rutinë doganore për të shkuar deri në Kukës. Tmerr dhe paradoks!
Ndaj sot duhet t’i jepet fund kësaj masakre të pakuptimtë duke shkurtuar apo ridimensionuar aksin rrugor Kukës-Has-Tropojë apo dhe t’i qasemi ndërtimit të udhës strategjike Tropojë-Shëngjin përmes luginës së Drinit! Kam informacion që ka një plan aktual shtetëror për ta konsideruar këtë nevojë ekonomike, njerëzore e strategjike, e cila nga kushdo qoftë do ishtë e mirëpritur, siç u mirëprit dhe investimi i qeverisë që rikrijoi qendrën moderne të Bajram-Currit.