Banka e Shqipërisë bëri me dije se, duke nisur nga data 10 nëntor 2017, do të hidhet në qarkullim kartëmonedha shqiptare me vlerë nominale 500 lekë.
Rishtypja e kartëmonedhës, emetim i vitit 2015, është miratuar me vendimin nr. 15, datë 26.02.2014, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i ndryshuar, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kartëmonedha e re, me vlerë nominale 500 lekë, ka të njëjtën përbërje, pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 500 lekë, emetim i vitit 2007.
Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e kartëmonedhës, i cili në kartëmonedhën e re do të jetë “2015”, ndryshon firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ajo e drejtorit të Departamentit të Emisionit, ndryshon trashësia e fillit të sigurisë nga 1,5 mm bëhet 2 mm, si dhe drejtshkrimi i fjalëve “SHQIPËRISË” dhe “PESËQIND LEKË”.
Duke filluar nga data 10 nëntor 2017, kartëmonedha me vlerë nominale 500 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2015, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.
/monitor