Nga Rea Shundi
Të shkuarit vetë në shkollë është një hap i rëndësishëm i zhvillimit te fëmijët. Megjithëse shoqërimi i vazhdueshëm i prindërve mund të shihet si i sikletshëem për disa, e vërteta është që shumë mund ta kenë të nevojshme. Por, përpara se të arrijmë në çdo konkluzion, nuk mund ta merrnin të vërtetë pa e lidhur me rrethanat në të cilat ndodhet. Kështu që, si zgjidhje më të mirë, pyetja duhet t’u shtrohet fëmijëve. “A kanë ata nevojë të shoqërohen”; dhe jo prindërve.
Në fakt, një fëmijë i vogël i pashoqëruar, sot mund të gjendet në shumë rrethana të rrezikshme. Ai nuk është shumë i vetëdijshëm për të kaluar rrugën, dhe shoferët shpesh nuk mendojnë më larg se vetja e tyre. Pa një kujdes të gjithanshëm, lënia e fëmijëve të pashoqëruar në zbulim të botës mund të ketë vërtetë pasoja jo të këndshme. Por, nga ana tjetër, po t’i pyesim, shumë fëmijë e duan këtë përvojë. Ata duan të jenë të aftë të ndjekin rrugën me miqtë e tyre, por edhe vetëm, ose të kthehen në shtëpi me ndjesinë e arritjes së kësaj lirie.
Në shumicën e rasteve, është një luftë midis vendosjes së caqeve nga ana e prindërve. Të dyja palët duhet të mësojnë, përpara se t’u vihen sfida të tilla, vijën se ku shkojnë aftësitë dhe përgjegjësitë e tyre. Pa qenë i ndërgjegjshëm, mund të bëhen konfuzë e të frikësuar nga e panjohura (sado emocionuese që mund të jetë).
Tani kthejmë kokën për t’iu referuar disa vendeve të tjera më të zhvilluara, se si ato kanë kohë që veprojnë dhe se si e bëjnë mirë. Në Gjermani, kur fëmijët shkojnë në fillim në çerdhe, duhet t’i shoqërojë një i rritur. Aq më tepër ditën e parë, fëmijët nuk mund të ndahen lehtë nga rehatia e shtëpisë. Por, po të shohim reagimin e edukatorëve, ata nuk janë kundër, por as shumë inkurajues për ankesat e fëmijëve. Ata i lejojnë të përjetojnë frikën e ndarjes, dhimbjen që u shkakton e panjohura, pastaj i mësojnë të çlirohen. Këtë e bëjnë edhe gjatë periudhës së kopshtit, por gjërat bëhen më natyrale, derisa vetë fëmijët e dinë se çfarë vjen më pas. Në Gjermani praktikohet një metodë mjaft e veçantë ndarjeje. Pasi prindërit sigurohen se fëmijët janë të pajisur më të gjitha ato që do t’u duhen për ditën, bëjnë atë që quhet “einen Schubs geben”, fjalë për fjalë, “i japin një të shtyrë”. Herën e parë që u përballa me këtë fenomen, mund të them që u ndjeva e ofenduar. Të presësh një të shtyrë të fortë te pragu i derës, pasi i ke thënë mirupafshim, nuk është aspak mënyra se si unë në Shqipëri jam mësuar të bëj. Këtu do ta quaja mosmirënjohje dhe, madje, rebelim. Por në Gjermani, duket se ky është fillimi i të mësuarit të tyre për vetëbesimin, sepse në fakt ata mund t’ia dalin vetë fare mirë. Dhe se shpesh, ai që mërzitet më shumë kur fëmija largohet, është prindi.
Në Japoni, nga ana tjetër, fëmijët kanë shkuar vetë në shkollë e kopsht që shumë më përpara. Pamje e zakonshme është të shohësh fëmijë fare të vegjël me çantat e tyre karakteristike dhe kapelat dalluese, duke u futur të vetëm nëpër labirintet e metrove apo të këmbësorëve. Ata ecin të pashqetësuar dhe të sigurt, sepse frika është koncept i palidhur me vetminë. Ata e përqafojnë të qenit vetë, dhe e shfrytëzojnë më së miri. Por kjo duhet të thuhet se vjen, për shkak se këtë e mundëson një sistem i tërë. Në një vend ku gjithçka bazohet në punë, lëvizje dhe ndryshime, nuk ka kohë për sentimentalizma të këtij lloji. Ata e dinë, mbase më mirë se ne, se ç’janë të aftë të bëjnë si njerëz, dhe se çfarë nuk janë të aftë. Të shkuarit vetëm në shkollë, të bërit të pazareve, të pastruarit të ambientit, këto janë shtojca! Që kur fëmijët lindin, mendimi dhe synimi i japonezëve për ta është shumë specifik dhe objektiv. Ata mendojnë se, mënyra më e mirë për t’i dashur fëmijët, është t’i bëjnë të aftë duke i larguar. Ngjitja emocionale dhe pasiguria si individ janë si rrjedhojë aliene në botën e tyre. Mund të thuhet se, deri diku, ata janë egoistë shumëfunksionalë në shoqëri.
Por si e arrijnë këtë? Me hapa të vegjël! Fëmijëve u ngarkojnë që në vegjëli detyra e përgjegjësi praktike e të njëanshme. Ajo që vlen të theksohet është pikërisht kjo. Gjithçka është e qartë, si linjat e trenit. Të koklavitura, të vështira për t’u kaluar, por të dukshme dhe të parashikueshme. Të gjithë e dinë se ç’ndodh kur vjedh apo kryen një shkelje ligji. Pavarësisht probabilitetit që dikush të kapet, në mendjen e tyre qëndron hija e pasojës. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk i lë ndërgjegjja, ndjenja e fajit, që të kryejnë një “krim”. Ata thjesht kanë të ngulitur sytë vëzhgues të të tjerëve edhe përtej mureve, për çdo gjë që bëjnë.
Ky është edhe një nga faktorët kryesorë, se pse numri i ligjshkeljeve dhe krimeve në Japoni është nga më të ulëtit në botë. Gjatë 12 viteve është i regjistruar vetëm një rast i vdekjes së një fëmije. Ata i njohin njerëzit e tyre, i nxitin të jenë ashtu, dhe sistemi ruhet po duke qenë të tillë.
Me një fjalë, pasiguria dhe frika, si shumë ndjesi të tjera, janë të fituara e të marra nga nevojshmëria. Këtu ne duhet të qëndrojmë vigjilentë për atë që ndodh, sepse niveli i pasigurisë është i lartë. Megjithatë, edhe dashuria merr forma të ndryshme, dhe nuk duhet lejuar që të kthehet në të dëmshme. Prindi, si më i rritur dhe i njohur me terrenin ku ndodhet, duhet të parashikojë rreziqet dhe pasojat e të gjitha veprimeve, që të zgjedhë më të mirën për fëmijën e tij, si dhe më të mirën e vetes. Dhe shpesh kjo nënkupton që ai duhet të mësojë të bëhet dhe më i mirë për veten e tij, duke mos e parë fëmijën si pronë, detyrë e rrjedhim të tij, por si pjesë e mëvetësuar e shoqërisë njerëzore.
Unë jam e medimit se njerëzit janë të aftë për shumë më shumë nga çfarë i lejohet të besojnë se munden. Por kjo është shumë më e theksuar në vendin tonë. Shteti duket se i shtyn njerëzit tu kundërvihen vetes për t’i bërë më të padëmshëm, e kështu duke u dhënë liri të plotë veprimi mbi ta. Mosnjohja e vetes është hap i parë i nënshtrimit dhe i ruajtes së rrethit vicioz të moszhvillimit. Strategjia që shtetet ndjekin për interes të tyre është mosnxitja e elementëve prominent të vendit, duke i bërë ata të pashqetësuar për fatin e bashkëkombasve të tij. Me keqardhje, mund të them se deri tani kjo ka funksionuar mirë këtu. Si zgjidhje, mbetet krahu i kundërt i saj, rruga drejt njohjes.
Duke i bërë njerëzit të mendojnë se nuk kanë fuqi mbi vendin ku jetojnë, se nuk kanë zë, fuqi dhe ndikim, ata dekurajohen dhe lënë të pazhvilluara shumë elementë të cilat ndryshe do të shkaktonin lëkundje “të tokës së pushtuar”. Dhë këto elementë nuk janë vetëm të lindura, ato zhvillohen me arsimim dhe edukim. Pavarësisht së çfarë shteti ofron, e kemi ne në dorë të shtyjmë veten përpara. Duhet filluar nga zotërimi i vetes, jo nga ajo që ofrohet jashtë.
Rëndësia dhe aftësia e fëmijëve neglizhohet, po si pasojë e mungesës së njohjes. Prindërit duhet të jenë shoqërues dhe kujdestarë të përkushtuar të tyre. Sigurisht, sepse fëmijët kanë nevojë më shumë se kurrë për ta. Por më shumë së të tjerat, ata kanë nevojë për dashuri, dhe jo posesivitet të maskuar si afeksion. Puthini fëmijët tuaj, i qëndroni pranë, dhe besojini. Nuk ka nevojë për rregulla, për sa kohë që i njihni. Ju merrni përgjegjësitë më të mëdha të tyre, por duke i lejuar ata t’i shohin ato vetë, do të arrini një barazpeshim. Sepse në fakt, më të rriturit mund të mësojnë po aq shumë nga fëmijët. Intelekti i tyre nuk është aspak më i ulët se i të rriturve, dhe përkundrazi; gjithçka që ne e përdorim më vonë, e mësojmë në fëmijëri.
Në Shqipëri, ka ende punë për të mundësuar sigurinë që prindërve u duhet, por kjo nuk duhet t’i ndalojë që ta nxisin atë. Ky do të ishtë dhe fillimi. Ai vjen vetëm nga njerëzit, nga ne. Nëse ne kërkojmë diçka, duhet të fillojmë ta ndërtojmë atë vetë. Pa asnjë pritshmëri nga të tjerët, mund të fillojmë të pretëndojmë tek vetja. Mosha më e hershme është momenti kur fëmijët ngrihen në dy këmbët e tyre dhe fillojnë të flasin vetë. Pa ndihmë, pa dashur t’i bëjnë përshtypje askujt, ata mund t’ia dalin. Me dihmën tuaj, për kënaqësinë e tyre, pastaj për ju e për një komb të tërë, ata do të bëjnë gjëra të mrekullueshme.