Katër nxënës në spital me plagë të rënda. Policia arreston mësuesin Agim Muça, Drejtoria Arsimore e pushon nga puna
Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në ambjentet e një shkolle në Dibër. Këtë herë protagonist është bërë një mësues i cili në gjendje të dehur ka qëlluar me drutë e sobës së zjarrit 12 nxënës së klasës së tretë dhe të parë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkollën 9 vjeçare ”Orzhanov” në Gollobordë të Dibrës. Policia njoftoi se se katër prej nxënësve të mitur janë dërguar menjëherë në spital pasi kanë pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe pjesët e tjera të trupit. Kanë qënë prindërit e nxënsve të lënduar të cilët kanë bërë denoncimin e mësuesit të dhunshëm në polici.
“Pas informacioneve të marra se në shkollën “Orzhanov” -Ostren Bulqizë ku mësuesi i kësaj shkolle shtetasi Agim Muça, 63 vjeç, ka ushtruar dhunë ndaj nxënësve të mitur, ku njëra paraqitet me shenja të theksuara dhune në kokë dhe po transportohet në Spitalin e Dibrës, menjëherë forcat policore kanë shkuar në vendngjarje ku kanë bërë arrestimin në flagrancë të mësuesit Agim Muça”, sqaron policia. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore e Bulqizës ka pushuar nga puna mësuesin.