Juventus është si Rozenborg, pasi fiton në Itali dhe asnjëherë në Champions”, ishte një deklaratë e djeshme e Arrigo Sakit, por që ka ngjallur menjëherë polemika. Dhe i pari që ka reaguar ka qenë një ish-juventin i madh, Stefano Takoni. “Nuk jam fare dakord me ato që ka thënë ish-trajneri i Kombëtares tonë. Kush fiton, gjithmonë jep kënaqësi. Edhe Juvia ime është kritikuar shpesh, madje është etiketuar si e dashuruar pas “katenaçios”. Në të kundërtën ishte një skuadër që jepte spektakël, e cila kishte në organikë komapionë të mëdhenj, por edhe futbollistë punëtorë që mbështesnin, si Bonini, Favero, apo Brio. Saki ka qenë me fat, pasi ka fituar falë holandezëve. Pa ta nuk do të kishte ngritur kurrë një trofe kontinental. Janë futbollistët që e bëjnë trajnerin dhe jo e kundërta. Me atë bagazh teknik që kishte në skuadër, përfaqësuar nga Van basten, Gulit dhe Rajkard, Milani duhet të kishte futuar shumë më tepër. Juve e sezonit të kaluar ishte në finalen e Champions dhe nuk ka se si të jetë Rozemborg”, përfundon komentin e tij ish-portjeri i Juventusit.