Referendumi i pavarësisë në Katalunjë rrëshqiti shumë shpejt në kaos, forcat e rendit qëlluan me plumba gome mbi tubuesit, përpara një qendre në Barcelonë.
Sipas autoriteteve rajonale kanë marrë trajtim mjekësor rreth 760 persona të plagosur.
Dhuna nuk vonoi të shpërthente, edhe pse organizatorët e referendumit kishin bërë thirrje për rezistencë paqësore ndaj çdo veprimi të policisë. Kjo e fundit po përpiqet me çdo kusht të bllokojë procesin.
Madridi zyrtar ishte zotuar ta bllokonte votimin e shpallur të paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e duket i vendosur ta vërë në jetë me çdo kusht angazhimin e tij.
Përpara se të çeleshin qendrat e votimit, qeveria katalanase i kishte sqaruar zgjedhësit se mund t’i printonin vet fletët e votimit që përmbanin vetëm një pyetje, e se mund t’i hidhnin në çdo qendër tjetër nëqoftëse do të mbyllej ajo që u ishte paracaktuar.